E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Berisha: Do bëjmë fushatë për qytetarin

TIRANË- Për Kryeministrin Sali Berisha, fushata zgjedhore “de facto” ka filluar. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha paralajmëroi se kjo do të jetë një fushatë për qytetarët, duke atakuar direkt kryetarin e opozitës, Edi Rama. “Ne faktikisht ‘de facto’ kemi nisur fushatën elektorale, kemi nisur përgatitjet për zgjedhje. Theksova në takimin e mëparshëm me ju, e theksoj dhe tani, se për ne kjo fushatë është fund e krye për qytetarin dhe problematikën e tij. Ky është mesazhi që kërkoj të përcillni në të gjitha strukturat tona. Kjo është politika më e mirë, që ne mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë. Në këtë fushatë elektorale mesazhet tona, përqendrimi ynë, projekti ynë, ka në epiqendër qytetarin, familjen e tij, komunitetin, problematikën, fshatin, lagjen, bashkinë, shkollat, rrugët, kanalizimet, rrugicat, gjelbërimin, pastrimin, potencialet zhvillimore. E theksoj këtë, sepse në mënyrë të qartë është e domosdoshme që ne të kemi të përgatitur në këto zgjedhje projektin vendimtar të Shqipërisë vend i zhvilluar”, - tha dje Berisha.

Ai shtoi para deputetëve se nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa zhvillim rural të qëndrueshëm. “Ne duhet t’i kapërcejmë ato dhe duhet të regjistrojmë, në të gjithë territorin e vendit, të gjithë problematikën, në mënyrë që të përgatisim përgjigjet më të merituara. Ne operojmë në fushën e mundësive. Ne kemi vështirësi, kemi mangësi, kemi dobësi, por jo të meta. Të gjitha këto janë të vërteta, por ne kemi mundësi të mëdha dhe ne do të shfrytëzojmë çdo mundësi tonën, për t’i dhënë përgjigje të gjithë problematikës së shumëllojtë të qytetarëve shqiptarë, aty ku janë”, - tha ai. Berisha theksoi se në qendër të fushatës do të jetë vëmendja ndaj çdo komuniteti dhe territori. “Unë dua të garantoj qytetarët e vendit, aty ku janë se do të përparësohen në proporcion me nevojat e tyre. Në rast se ne në disa rrethe, për qëllime të caktuara, kemi bërë dhe investimet më të mëdha dhe kanë qenë plotësisht të justifikuara, në rast se ne kemi investuar vetëm në ultësirën bregdetare miliarda euro në të gjitha aspektet, kjo ka qenë në interesin e çdo shqiptari. Por kjo nuk është bërë t’i kthyer shpinën as Lekbibajve, as Kelmendit apo ndonjë zonë tjetër. E kundërta do të provohet. Nuk do kenë komunitete të harruara. Ky është qëndrimi ynë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë vend për ide se ‘këtu nuk mund të zhvillohet”, - tha Berisha. Kryeministri premtoi se vota për mazhorancën do të jetë votë për infrastrukturën më moderne dhe se ajo do të respektohet përmes sistemit modern të numërimit. “E ftoj zotin Rama të lexojë mesazhet e qytetarëve shqiptarë, por edhe të miqve të Shqipërisë në Europë dhe në botë. Këto mesazhe janë: zgjedhje lokale, një provë e qëndrimit ndaj lirisë të forcave politike shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë. Sa rri dhe gjen eskimezë apo arabë në fshatin tim, më mirë të merret e të zbatojë ligjet dhe procedurat konsensuale.

Se në zgjedhjet e kaluara i gjetën nja 4 eskimezë atje, tani thotë janë dhe 4 arabë që do të votojnë. Sa merret me shpifje të tilla, më mirë të zbatojë ligjet dhe rregullat që janë votuar konsensualisht në Parlamentin shqiptar. Por ato 4 vota do t’ia zbresim”, - shtoi ai.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›