E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Partitë, përgjegjësi për zgjedhje sipas standardeve

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim pune me Zëvendëspresidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin. Gjatë takimit, Presidenti Topi bëri një panoramë të situatës më të fundit politike në vend dhe afrimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 si dhe theksoi rëndësinë e institucioneve të pavarura kushtetuese. Topi vuri në dukje rëndësinë e zgjidhjes sa më shpejt të mosmarrëveshjeve politike dhe ruajtjen e qetësisë e maturisë për zhvillimin me sukses dhe sipas standardeve të duhura demokratike të zgjedhjeve vendore të 8 majit. “Edhe në këto zgjedhje vendore, partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësitë jo vetëm në drejtim të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, por edhe të organizmit së fushatës zgjedhore dhe zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve më demokratike”,- u shpreh Topi gjatë takimit. Nga ana e tyre, Zëvendës Presidentja e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Brajan dhe Drejtori Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin, e siguruan Kreun e shtetit shqiptar se do të vazhdojnë të japin kontributin dhe përvojën e tyre institucionale në dobi të realizimit me sukses të të gjitha aktiviteteve të ardhshme të Institutit amerikan në vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›