E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti propozon anullimin e 59 lejeve të ndërtimit “Eftimi-Shkreli”, çlirim për 400 arkitektët e pavarur të kryeqytetit

Komisioni Hetimor parlamentar paraqiti dje në parlament konkluzionet e hetimit trejavor për kartelin e ndërtimit, që ka ngritur prej vitesh kryebashkiaku me korrespondencë i Tiranës. Raporti do shndërrohet në padi penale që do t’i dorëzohet prokurorisë, ndërkohë që propozohet edhe masa administratiev e anullimit të 59 lejeve të fundit, të dhëna në kushtet e pastra të konfliktit të interesit

TIRANE - Kryetari i komisionit hetimor për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkia e Tiranës, Ferdinand Xhaferri paraqiti mbrëmjen e së premtes në Kuvend raportin përfundimtar, në mungesë të deputetëve të opozitës.
Mbështetur në seancat dëgjimore të përfaqësuesve të Këshillit të Rregullimit të Territorit të bashkisë së Tiranës, Agjencisë së Prokurimeve Publike etj, raporti paraqet disa nga shkeljet ligjore dhe favorizimin e studiove të projektimit nga ana e KRRT-ëja e Tiranës, e drejtuar prej Edi Ramës.
Sipas të dhënave të mbledhura nga raportimet në komision të përfaqësuesve të Drejtorisë së Agjencisë së Prokurimeve Publike, të KRRT-së etj, evidentohen shkeljet e ligjeve të pushtetit vendor, përdorimi për interesa vetjake të Këshillit teknik të bashkisë, nga kryebashkiaku Edi Rama.
Raporti thotë se përpunimi i dosjeve, përgjegjësia e hartimit të politikave dhe kontrolli ligjor për lejet e ndërtimit i takon bashkisë së Tiranës.
Raporti i hetimit për dhënien e lejeve të ndërtimit vetëm dy personave përbëhej nga 3 pjesë. Pjesa e parë përmbante argumente mbi ligjshmërinë e komisionit, pasi opozita ka ngritur propozime mbi kushtetutshmërinë e tij. Pjesa e dytë përmbante objektin e hetimit, ndërsa pjesa e treta paraqiste abuzimet e bëra me lejet e ndërtimit dhe kostot financiare. Komisioni hetimor zbuloi se në 5 mbledhjet e mbajtura të KRRT-së së bashkisë së Tiranës gjatë 2 viteve të fundit, 43 leje ndërtimi i ka marrë “Atelier 4” e Alban Eftimit, ndërsa 16 leje ndërtimi i ka marre Artan Shkreli (të mendohet se vetëm në kryeqytet janë të licensuar dhe punojnë si arkitektë të pavarur, më shumë se 400 profesionistë, të lënë jashtë konkurrimit nga Edvini).
Sipas komisionit hetimor për dhënien e lejeve të ndërtimit në kryeqytet, janë konstatuar shkelje të mëdha në çdo mbledhje që ka mbajtur Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) gjatë viteve 2008-2009.
Paraqitja në parlament e këtij raporti, do të pasohet edhe me padi penale në Prokurorinë e Përgjithshme, për shkeljet flagrante të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama, me dhënien e lejeve të ndërtimit, bashkë edhe me një kërkesë për të anuluar 59 lejet e ndërtimit të dhëna nga kryebashkiaku i Tiranës gjatë vitit të kaluar.
Komisioni hetimor për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit u ngrit pas një vendimi të Kuvendit në muajin prill. Ai kishte objekt hetimin e mënyrave abuzive dhe në konflikt interesi në bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi.
Opozita e majtë i bojkotoi punimet e këtij komisioni duke e cilësuar atë të antikushtetues.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›