E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti rimiratoi Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe

Parlamenti i Maqedonisë rimiratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili paraqet bazë juridike për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Procedura e rivotimit të këtij ligji u inicua pasi që presidenti i vendit Branko Cërvenkovski nuk dekretoi ligjin në fjalë.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së punës së Parlamentit, në rast të votimit të dytë të çdo ligji, atëherë ai është i plotëfuqishëm, edhe përkundër mosdekretimit nga ana e presidentit të shtetit.

Lidhja Social Demokrate(LSDM) ka qenë e pranishme në seancën e sotme parlamentare. Kryetarja e kësaj partie, Radmilla Sheqerinska deklaroi se VMRO-DPMNE për gjashtë vite ka mashtruar popullin maqedonas me patriotizëm të gënjeshtërt.

Shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani deklaroi se koalicioni i ri ka arritur mirëkuptim për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, duke vënë bazë që në të ardhmen të mund të zgjidhen shumë probleme të rëndësishme në vend.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolovski tha se LSDM opozitare ka skenarë për të bllokuar institucionet dhe të rrënojë shtetin juridik.

Partia Demokratike Shqiptare(PDSH) nuk mori pjesë në seancën e sotme të parlamentare. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Imer Aliu paralajmëroi se mbledhja e sotme e thirrur nga kryeparlamentari Veljanovski është akt skandaloz. PDSH bëri të ditur se pas pushimeve do të ofrojë projekt-ligj të saj për përdorimin e gjuhës shqipe.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski njoftoi se deputetët prej nesër do të jenë në pushim vjetor deri më 18 gusht. (INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›