Inva, Margaritë tullace
Thuhet shpesh që nuk duhet ndryshuar një ekip që fiton. Në vitin 1990, Michel Plasson dhe regjisori Micolas Joel ngjitën në skenën e Oranzhës (“Orange”) një “Faust”, që u vlerësua si spektakli më i mirë lirik i vitit, sipas Sindikatës profesioniste të kritikës së teatrit dhe muzikës. Sipas të përditshmes franceze “Le Figaro”, pas 18 vjetësh, mrekullia nuk u përsërit. Jo sepse shfaqja e tyre nuk ishte e mirë, por sepse publiku, gjithnjë i madh në numër, që u ul në shkallët e teatrit antik të Oranzhës, nuk doli prej andej me ndjesinë sikur të kishte përjetuar një moment të jashtëzakonshëm. Duhet thënë se “Fausti” është një vepër e vështirë për t’u vënë sot. Vepra, e cila qëndron prej 30 vitesh në repertorin francez, flet për një shoqëri të shekujve më parë, së cilës i ka “humbur filli me kohë”. Kështu që një regjisor, duhet të marrë rrezikun, ose ta vendosë veprën ashtu si është, ose ta sjellë në kohë, pa përjashtuar edhe ironinë. Sa i përket këngëtarëve, duket se nuk ka qenë ekipi i duhur dhe muzikalisht vepra u shfaq në “gjysmëtone”. Tenori Roberto Alagna nuk është shfaqur në formën e tij më të mirë. U vunë re pamundësira vokale, por sipas “Le Figaro” “kush tjetër do të ofronte në një kryerol një elegancë të tillë linjash dhe një diksion të një qartësie të tillë, edhe sikur të ishte gjatë gjithë kohës bindës?”. Sopranoja shqiptare, Inva Mula, e cila interpretoi Margaritën është vlerësuar pozitivisht nga kritika, edhe pse nuk këndoi “me tri zëra, siç kërkohet zakonisht, lirik, dramatik dhe koloraturë, por me të sajin, plot nuancë dhe delikatesë”. Filarmonia e Radio Francës me harqet transparente është konsideruar e shkëlqyer. Shfaqja do të jepet direkt sot në orën 21.30 në “France 2” dhe “France Musique”.