Parlamenti shkarkon Biberajn, akuzohet për shpërdorime të fondeve në udhëtime jashtë shtetit

Zyra e kryetarit të Kuvendit ka hedhur dje poshtë akuzat e deputetit Biberaj për modalitetet e zëvendësimit të tij nga delegacioni parlamentar pranë Këshillit të Evropës, duke theksuar se arsyet e shkarkimit lidheshin me shkeljet e rënda financiare, verifikuar në udhëtimet e tij të paautorizuara, jashtë shtetit
TIRANE - Ka reaguar zyra e shtypit pranë Kuvendit lidhur me shkarkimin e Kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj. Në deklaratë hidhen poshtë të gjitha pretendimet e zotit Biberaj, duke clilësuar se “Asgjë nuk është e vërtetë nga ajo që thuhet në njoftimin e shtypit të Aleksandër Biberajt”, në të cilën thuhej se Kryetarja e Kuvendit ka shkelur kompetencat që i jep Kuvendi. Në deklaratë bëhet se shkarkimi i zotit Biberaj ka ardhur pasi “kryetarja e Kuvendit, është konsultuar me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, siç e parashikon edhe neni 7, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, dhe më pas i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për zëvendësimin e Aleksandër Biberajt me një deputet tjetër. Në deklaratën e zyrës së Kuvendit bëhet e ditur se “arsyeja kryesore e këtij zëvendësimi vjen për shkak të shkeljeve të rënda financiare të udhëtimeve që Biberaj ka bërë në mënyrë të paautorizuar, në emër të Kuvendit dhe që nuk kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e rregullt të delegacionit në seancat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Këto të fundit janë miratuar gjithmonë nga Kuvendi. Rasti i sjelljes së Biberajt është rast unik”.
Lidhur me mbështetjen që Kuvendi i ka dhënë këtyre aktiviteteve, vlerësohet se “Kryetarja e Kuvendit ka mbështetur vazhdimisht dhe ka miratuar pjesëmarrjen e delegacionit, përfshi këtu edhe zotin Biberaj, në çdo sesion parlamentar të Këshillit të Evropës, në respekt të këtij institucioni. Madje në disa raste ka miratuar edhe udhëtime jashtë sesionit parlamentar të anëtarëve të delegacionit edhe në aktivitete të tjera të KE-së”, përfundon deklarata për shtyp, e zyrës së Kuvendit.