E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, brenda dy muajve, anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior

Zëvendëskryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral lejtnant Karl W. Eikenberry, konfirmon se Shqipëria në NATO, do të jetë kontribuese në çuarjen përpara të demokracisë, paqes dhe sigurisë

TIRANE - "Brenda dy muajve, Shqipëria do të jetë anëtare e NATO-s", ka siguruara në një intervistë ekskluzive, zëvendëskryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral lejtnant Karl W. Eikenberry, i cili vlerëson të gjitha hapat e hedhura deri sot nga Qeveria dhe ushtria shqiptare, në drejtim të reformimit të plotë të saj, sipas të gjitha standardeve të NATO-s. "Nëse nuk do të kishit sukseset që keni, atëherë nuk do të kishte një marrëveshje për Shqipërinë që t’i bashkohej NATO-s", është shprehur gjeneral lejtnant Karl W. Eikenberry. Shqipëria si një vend evropian, duke iu bashkuar NATO-s, kontribuon në çuarjen përpara të demokracisë, paqes dhe sigurisë, ambicie afatgjata që kanë vendet e aleancës, cilësoi në intervistën e tij, zëvendëskryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral lejtnant Karl W. Eikenberry.
     
Në fillim të muajit prill, është deklaruar mbledhja e Samitit të Strasburgut, ku Shqipëria pret anëtarësimin me të drejta të plota në NATO. A mendoni se ai, do ta bëjë realitet ëndrrën e miliona shqiptarëve, për t’u bërë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut?
Vitin e kaluar, në Samitin e Bukureshtit, liderët politikë me prezencën e kryetarëve të shteteve anëtarë të NATO-s, ranë dakord që Shqipëria dhe Kroacia të marrin ftesën e anëtarësimit në NATO. Tashmë parashikimet brenda Aleancës janë optimiste që në Samitin e prillit në Strasburg dhe Këln, i cili shënon edhe 60-vjetorin e krijimit të Aleancës, vendi juaj t’i bashkohet kësaj Aleance së bashku me Kroacinë, duke e çuar numrin e anëtarëve në 28. Shqipëria ishte vendi i parë i Evropës Lindore që, në vitin 1992, shprehu dëshirën e saj për të qenë anëtare e Aleancës. Menjëherë më pas Shqipëria iu bashkua Këshillit të Atlantikut të Veriut për bashkëpunim. Kanë kaluar 17 vjet që nga ajo kohë. Shqipëria ka bërë përparime me reformat politike e reformat ushtarake dhe ekziston besimi në Aleancë se Shqipëria ka arritur standardet  për  t’ju bashkuar asaj.
      
Si e vlerëson NATO progresin e reformave në FA dhe plotësimin e standardeve?
Ju keni pasur suksese të mëdha. Nëse nuk do të kishit sukseset që keni, atëherë nuk do të kishte një marrëveshje për Shqipërinë që t’i bashkohej NATO-s. Po të hedhim një vështrim në disa fusha të ndryshme, si: pjesëmarrja juaj në operacionet e udhëhequra nga NATO-ja me rreth 140 ushtarakë në Afganistan, që është edhe operacioni numër një i NATO-s, për një vend të vogël si i juaji, një fakt i tillë është shumë impresionues. Po të hedhim vështrimin në një fushë tjetër, transformimi në një ushtri profesioniste, drejtim në të cilin ju po lëvizni, vëmë re se, pak më shumë se 10 vjet më parë, ju kishit një ushtri me 100. 000 trupa, bazuar në shërbimin e detyrueshëm të shtetasve të FA. Ndërsa në vitin 2010, ju do të keni një Forcë me rreth 12 000 trupa. E gjitha profesioniste. Unë shoh angazhimet që Shqipëria ka marrë në drejtim të mbështetjes buxhetore të përmirësimit të Mbrojtjes. Shpenzimet e Shqipërisë për Mbrojtjen në këtë moment, shkojnë në 2 % të prodhimit të brendshëm bruto, duke përmbushur në këtë mënyrë një nga standardet e NATO-s. Unë mund të vazhdoj edhe me fushat e tjera specifike, por më lejoni që të përmend vetëm disa tregues. Në paraqitjen ushtarake, Shqipëria arrin standardet e NATO-s, por sigurisht anëtarësimi në NATO, nuk shënon fundin e plotësimit të tyre, sepse edhe vendet e kësaj Aleance janë në një proces transformimi e përmirësimi të vazhdueshëm. Në këtë mënyrë edhe ju do të jeni pjesë e një procesi të tillë, nëpërmjet vazhdimësisë së transformimit e modernizimit. Por sidoqoftë, ju i keni arritur standardet që NATO ka vendosur, dhe ne po presim 4 prillin, pak më shumë se dy muaj që nga dita e sotme, kur ju do të jeni pjesë e Aleancës dhe do të jeni një vlerë për të.

Shqipëria prej kohësh vazhdon të kontribuojë me misionet paqeruajtëse në Afganistan e Bosnje-Hercegovinë. Cili është vlerësimi i NATO-s, për rolin e trupave shqiptare në këto misione?
Unë do të bëja një koment të veçantë për operacionin në Afganistan, në të cilin kam shërbyer personalisht dy herë e në këtë mënyrë e njoh shumë mirë teatrin operacional atje. Tani, duke qenë në shtabin e NATO-s në Bruksel, unë kam mundësinë të lexoj raportimet, dhe midis tyre edhe për trupat tuaja, ku më shumë se 100 prej tyre janë vendosur në Afganistanin perëndimor, nën Komandën italiane dhe 20 prej tyre në Kabul nën Komandën turke. Gjithashtu, një kontribut tjetër i vlefshëm është ai i ekipit mjekësor, pjesë e përpjekjes dhe kontributit të përbashkët me vendet e tjera të Evropës Juglindore, të cilat janë të vendosura në Komandën Rajonale të Kabulit. Ajo që mund të them unë nga vëzhgimet e mia në lidhje me kontributin e trupave shqiptare, të angazhuara në operacionin e NATO-s në Afganistan (ISAF), është se, ata janë absolutisht ushtarë të mirë, të disiplinuar e të mirëdrejtuar. Performanca e tyre është e mirë dhe ne jemi vërtet krenarë t’i kemi ata në radhët tona.
      
Cilat gjykoni se janë sfidat e FASH-së, pas anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut?
Është një pyetje me vend dhe me rëndësi. Siç e thashë edhe më parë, është e rëndësishme që, brenda Aleancës nuk shikohet anëtarësimi si përmbyllje e procesit, por si një udhëtim që vazhdon. Sfida e parë është ajo e drejtuesve politikë, për të vendosur se cilat janë prioritetet. Unë e di që ju keni objektiva të veçanta, të cilat janë të rëndësishme edhe për anëtarët e Aleancës. Më lejoni që të përmend dy prej këtyre objektivave. Para së gjithash e di angazhimin që keni marrë për të zgjidhur problemin që keni me sasinë e madhe të municionit dhe të armëve të lehta, për t’u shkatërruar e demilitarizuar. Një çështje e tillë është me rëndësi për Shqipërinë, por është një çështje që mbetet me interes të lartë edhe për Aleancën dhe di që Aleanca është përgatitur për të asistuar dhe ndihmuar në këtë çështje. Së dyti, di që i keni vendosur një objektiv vetes tuaj, për të përfunduar projektin e krijimit të  një Force tërësisht Profesioniste deri në vitin 2010 dhe të arrini në këtë vit, një sasi prej 12. 000 trupash profesioniste. Kjo do të jetë e rëndësishme dhe kërkon shumë punë për t’u arritur, pasi është një udhëtim që vazhdon dhe duhet kuptuar se kjo gjë kërkon më shumë përkujdesje për personelin, krijimin e kapaciteteve të nevojshme për edukimin dhe trajnimin  në të njëjtën kohë edhe me modernizimin e pajisjeve.
    
Cilat mendoni se do të jenë vlerat që Shqipëria do të çojë në NATO, pas anëtarësimit të plotë të saj? 
NATO u krijua në vitin 1949 me disa objektiva të qarta para saj. Një prej objektivave, i cili mbetet i pandryshuar që nga koha e krijimit e deri sot, është shpërndarja e demokracisë, paqes dhe sigurisë. Shqipëria si një vend evropian, duke iu bashkuar Aleancës, kontribuon në çuarjen përpara të kësaj ambicie afatgjatë që vendet e NATO-s kanë. Hyrja e Shqipërisë në NATO do të jetë një vazhdimësi e rrugës së saj, në mbështetje të vlerave të demokracisë e parimeve themelore të Aleancës, të cilat janë  angazhimi për liritë individuale, angazhimi për demokraci dhe angazhimi për lirinë si vlerë universale. Kështu, në këtë mënyrë do të kontribuojmë në mënyrë kolektive për Evropën dhe Shqipëria në mënyrë të veçantë për pjesën juglindore të Evropës.
     
Me zhvillimet e reja në Ballkan, ku Shqipëria dhe Kroacia presin  të hyjnë në NATO, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina janë bërë pjesë e PfP-së dhe ku Maqedonia është afër ftesës për në NATO, cilat mbeten sfidat e sigurisë rajonale?  
NATO-ja ka një angazhim të gjatë në rajonin e Ballkanit. Disa vite më parë, patëm Slloveninë që iu bashkua NATO-s, gjë që ishte një hap i rëndësishëm përpara, për të sjellë sigurinë dhe një stabilitet të qëndrueshëm, në gjithë hapësirën euro-atlantike dhe në mënyrë të veçantë në rajonin e Ballkanit. Pranimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në prill është një hap tjetër i rëndësishëm përpara. Ju përmendët ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi, të cilët janë të gjithë partnerë të vlefshëm e secili prej tyre aspiron anëtarësimin në NATO dhe ne kemi programe të mira bashkëpunimi me  ta. Ata vazhdojnë të bëjnë progres dhe jemi optimistë se, edhe në vitet e ardhshme ata do të vazhdojnë të bëjnë progres.  Ndërsa për sa i përket Serbisë, këndvështrimi i NATO-s mbi të është shumë i qartë. Ajo është e mirëpritur dhe është në kohë të vendosë, nëse ajo dëshiron që të mbajë angazhimin për të ndjekur perspektivën euro-atlantike.

Dy fjalë për ushtarakët shqiptarë...
Mesazhi që unë doja t’i jepja popullit shqiptar dhe FA-së, është se ata duhet të ndihen shumë krenarë për atë që kanë arritur në 20 vitet e fundit. Tranzicioni politik që ka bërë Shqipëria, në aspektin e reformave të Mbrojtjes dhe transformimi e ka vendosur në një pozicion, nga ku në prill të këtij do t’i bashkohet Aleancës më të madhe, që vendet demokratike kanë krijuar. Nuk mund të gjej fjalë për ta përshkruar sesa i rëndësishëm ka qenë ky transformim për ju. Unë e konsideroj një mrekulli. Si një oficer i Ushtrisë amerikane kam shërbyer në Itali në vitin 1988-’89, në anën tjetër të Adriatikut. Në atë kohë, Shqipëria ishte një vend kaq pranë dhe kaq larg për t’u parë. Unë kurrë nuk e mendoja në atë kohë se, një ditë Shqipëria do t’i bashkohej Aleancës; se unë do të ulesha këtu, për  të folur me ju dhe për të pasur shansin që të japë një intervistë për shtypin ushtarak shqiptar; për të thënë se, brenda dy muajve Shqipëria do të jetë anëtare e Aleancës.
Intervistoi, Ernest Tushe
Kryeredaktori i gazetës "Ushtria"

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›