E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për reformën zgjedhore pritet të nisë punën në fillim të muajit tetor

15-09-2011 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore, Gjiknuri në media thotë se kemi gati propozimet, por politikisht PS duket ende larg bashkëpunimit me mazhorancën

Partia Socialiste mediatikisht duket se i ka hyrë punës për reformën e re zgjedhore, por veprime konkrete politike ende s’ka, ose në dukje janë ende larg. Të paktën këtë la të kuptohej dje, deputeti socialist dhe njëherazi ekspert për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri. I mandatuar nga PS për eksplorimin e modaliteteve që do i takojnë reformës së ardhshme elektorale, Gjiknuri më shumë foli për pikat e miratuara në selinë rozë se sa për një bashkëpunim të mirëfilltë politik me mazhorancën dhe partitë e tjera politike. “PS i ka gati një pjesë të propozimeve që do i bëhen mazhorancës për Kodin Zgjedhor. Më kryesoret janë rikompozimi i KQZ-së dhe ndryshimi i sistemit elektoral”- u shpreh Gjiknuri. Ai thotë se kodi i ri zgjedhor duhet të riparojë problemet e evidentuara në zgjedhjet e fundit, ato për pushtetin lokal. “Për të eliminuar sado pak këto probleme kërkohen garanci dhe elementë të tjerë në Kod të cilat mund të evitojnë shumë nga ato probleme që u vërejtën në zgjedhjet e fundit. Një nga problemet më të mëdha është vet roli i KQZ-së, ku kërkohet në mënyrë unanime që të rishikohet kompozimi dhe mënyra sesi do të funksionojë. Problemi i madh është çështja e listave, probleme që kanë të bëjnë me identifikimin e zgjedhësve. Reforma mund të përmbledhë dhe elementë të tjerë të sistemit zgjedhor, të cilët hanë një diskutim tjetër politik, se çfarë i leverdis Shqipërisë që të ketë dhe në çfarë hapësire dhe në çfarë mundësish mund të ketë ndërhyrje edhe në sistemin zgjedhor. Pikërisht për të perfeksionuar sistemin përsa i përket votës së hedhur dhe mandateve të prodhuara”- thotë ai. Përsa i takon bashkëpunimit PS-PD, Gjiknuri thekson se dy partitë e mëdha politike duhet të jenë promotorët e nisjes së punës për reformën. “Duhet të ulemi dhe të hulumtojmë dhe diskutojmë për modalitetet, e theksoj, modalitetet sesi duhet të funksionojë komisioni i reformës zgjedhore”. Megjithatë PS thotë se pret nga PD vullnet të plotë për këtë reformë elektorale. “PS pret nga mazhoranca që ajo të tregojë vullnet për këtë reformë. Të tregohet e hapur për propozimet e opozitës, siç ka deklaruar shpesh kryeministri në momente të tjera dhe shpresoj që këto deklarata të mbeten në fuqi. Duhet të tregohen shumë më fleksibël ndaj propozimeve të arsyeshme të opozitës, të cilat kanë marrë dhe mbështetjen e institucioneve të specializuara siç është ODIHR, apo Komisioni i Venecias”- tha ai. Mazhoranca i drejtoi një ftesë zyrtare Partisë Socialiste që në muajin korrik, duke i adresuar edhe pikat e bashkëpunimit mazhorancë-opozitë, në funksion të nisjes nga puna të tryezës së partive politike, për reformën zgjedhore. Kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, me anë të një letre dërguar homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi konsensusin e PS-së, me synim arritjen e një bashkëpunimi konkret për reformën zgjedhore. Fakt i pamohueshëm është se reformimi i kodit elektoral, mbetet një nga kërkesat imediate të raportit të OSBE/ODIHR, por edhe Bashkimit Evropian. Në ditët në vijim pritet përcaktimi i direktivave përkatëse, duke filluar nga ngritja e komisionit parlamentar, diskutimi i amendamenteve me partitë e vogla dhe grupet e interesit. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›