E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti vendos të kalojë me emergjencë nismat ligjvënëse për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar dje se Komisioni i Ligjeve duhet të marrë për shqyrtimin me përparësi të tre projektligjeve që flasin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve. Përmes një letre drejtuar këtij komisioni, kryetarja Topalli shprehet për shqyrtimin me përparësi të tre drafteve të propozuara për këtë qëllim nga PD, PS dhe PDK, të cilat ndodhen prej dy vjetësh në komision. “Do të kërkoja që këto projektligje, të përfshira në kalendarin e punës së Komisionit të Ligjeve, të shqyrtohen me përparësi për të mundësuar kalimin e tyre sa më shpejt në seancë plenare”, shprehet Topalli, në letrën e saj drejtuar këtij komisioni. Në këtë kuadër, grupi parlamentar i PD-së ka inicuar projektligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve”, grupi parlamentar i PS-së, ka depozituar projektligjin “Për verifikimin e të qenit bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete shqiptare para datës 31.12.1992, të funksionarëve të lartë publike”, ndërsa grupi parlamentar demokristian, ka propozuar projektligjin “Për kontrollin e figurës së personit zyrtar të zgjedhur apo emëruar në organet e rëndësishme të shtetit”. Shqetësimi i kryeparlamentares Topalli, vjen pasi draftet ligjore për pastërtinë e figurës së zyrtrarëve të lartë ndodhen që prej dy vitesh në komisionin e ligjeve. Kështu, gjatë paraqitjes së tyre në komision këto projektligje janë shoqëruar me debate ndërpartiake, por jo zyrtare. Tre propozimet marrin përsipër të rregullojnë me ligj çështjen e transparencës së atyre që do të zgjidhen në pozicione kushtetuese, nëse kanë patur lidhje më të kaluarën e errët të regjimit komunist, me një prej segmenteve më famëkeqe të tij atë të sigurimit të shtetit. Edhe përse kanë kaluar 17 vjet nga rënia e regjimit komunist në Shqipëri shoqëria shqiptare sërish është përballë një dileme të madhe. Çështja nuk është nëse janë apo do mbeten pa punë ata që rëndom që quhen spiunë, por fakti se opinioni publik nuk e di se kush janë ata. Por duket se përveç kësaj, ndikim kanë edhe zhvillimet e fundit politike, të shkaktuara nga e ashtuquajtura kriza e dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kësisoj, ndër kriteret kryesore të kërkuara nga Partia Demokratike për këta anëtarë, është pikërisht edhe mosbashkëpunimi i tyre me regjimin e kaluar. Një kriter i hedhur poshtë nga komisioni këshillimor pranë presidentit të Republikes, që përzgjedh kandidatët dhe kriteret. Por ndoshta kjo krizë konkrete politike, paradoksalisht mund të sjellë një zhvillim politik, megjithëse të vonuar: miratimin e ligjit për “spiunët e komunizmit”. Një veprim i vonuar, por që vë në vend, një padrejtësi gati njezët vjeçare. Në fakt u bënë vite që politika shqiptare po gëzon heshtjen, zvetënimin e hapjes së dosjeve dhe konfirmimin e “spiunëve” të sigurimit të shtetit shqiptar në periudhën e errët komuniste. Për këtë, segmente të caktuara të politikës, të përlyera ose jo në historinë e bashkëpunëtorëve të shtetit, vazhdimisht kanë marrë iniciativën për të nxjerrë në dritë identitetin e gjithë shërbenjësve të Komunizmit nën funksionin e spiunëve, të cilët mendohet se janë një numër i konsiderueshëm personazhesh të përfshira në elitën aktuale të politikës. Megjithëse pranohet hapur se në administratë, në qeverisje dhe Kuvend, ka bashkëpunëtorë të sigurimit, ende askush nuk ka kurajën për hedhjen e një hapi final për pastrimin e tyre nga bashkëpunëtorët e sigurimit. Nismat ligjore të propozuara nga PD, PS dhe PDK, kanë në thelb në draftin e tyre, transparencën për të kaluarën e cdo politikani dhe zyrtari të lartë të administratës shtetërore. Ish-spiunët janë persona që manipulohen lehtë, që keqpërdoren nga padronët e tyre të vjetër dhe të rinj dhe në cod kohë janë të gatshëm të vazhdojnë “zanatin” e tyre. Shoqëria shqiptare, që të rimarrë veten, duhet të clirohet nga barra e së shkuarës, duhet të çlirojë energji të reja dhe mbi të gjitha, duhet të mbështet mbi një moral të shëndoshë. Projektligjet për dosjet e Sigurimit të Shtetit

Projektligji i PD

Subjekt të verifikimit të përgjithshëm, sipas këtij ligji, janë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publikë, të zgjedhur apo të caktuar, të cilët më datë 11 dhjetor 1990 janë 18 vjeç e lart dhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ushtrojnë, apo do të kryejnë një nga detyrat ose funksionet, apo janë në marrëdhënie pune në institucionet në vijim: deputetë, Presidenti i Republikës, të zgjedhurit nga Kuvendi dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, sekretarë të përgjithshëm të institucioneve qendrore në varësi të Kryeministrit, apo ministrit, funksionarë politikë, drejtorë të përgjithshëm dhe drejtorë të drejtorive të dikastereve, zyrtarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të SHISH-it, Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe Drejtorët e Bankës së Shqipërisë, prefektë, kryetarët e Këshillave të Qarkut, si dhe kryetarët e Bashkive dhe Komunave, gjyqtarë dhe prokurorë pranë Gjykatave të Apelit, drejtuesit e përfaqësive diplomatike, si dhe drejtues të Policisë. Pastërtia e figurës morale të zyrtarëve të mësipërm është e papajtueshme edhe për individët që kanë qenë anëtarë apo kandidatë të Byrosë Politike të Partisë së Punës, anëtarë qeverie, anëtarë të Këshillit Presidencial, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, si dhe oficer madhor, përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991.

Projektligji i PS-së

Objekt i këtij ligji është hapja e Arshivave të Shërbimeve Sekrete Shqiptare, të para datës 31.12.1992, për të gjithë ata funksionarë të lartë shtetërorë, të parashikuar nga ky ligj, që vazhdojnë të mbajnë këtë funksion, deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe ka për qëllim vetëm publikimin e tyre. Funksionarët publikë që do të verifikohen janë: Presidenti i Republikës, Kryeministri, deputetët, ministrat, zv/ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të gjithë titullarët e organeve të tjera kushtetuese ose të organeve kolegjiale, të përcaktuara si të tilla nga Kushtetuta. Për kryerjen e procesit të verifikimit dhe të bërjes publike të emrave të funksionarëve të lartë që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, krijohet një komision shtetëror i përbërë prej 5 anëtarësh. Ky komision do të varet dhe do të përgjigjet për punën e kryer para Kuvendit të Shqipërisë, një anëtar, i cili do të jetë edhe Kryetari i këtij komisioni, emërohet nga Presidenti dhe katër anëtarët e tjerë emërohen nga Kuvendi i Shqipërisë, përkatësisht, 2 sipas propozimit të partive opozitare dhe 2 sipas propozimit të partive të pozitës. Publikimi i emrave që gjenden bashkëpunëtorë bëhet në fund të procesit të verifikimit. Ndalohet publikimi i emrit të personit që gjendet ish-bashkëpunëtor, nëse ai/ajo paraqitet vetë para komisionit dhe deklaron se do të japë dorëheqjen nga funksioni që mban, përpara se të bëhet publikimi i emrave. Nëse tërheqja e deklaruar nuk ndodh, atëherë komisioni bën publik emrin.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›