Deklarata e LSI/Haxhinasto: “Heqja e imunitetit, përpara referendumit të tentohet brenda parlamentit”

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se për heqjen e imunitetit palët politike duhet të shkojnë drejt një konsensusi parlamentar. Nënkryetari i LSI, njëherazi zëvendëskryeministri, Edmond Haxhinasto tha dje se “LSI është për konsensus mes palëve”.
Sipas tij, LSI do të mbështesë heqjen e imunitetit brenda Parlamentit, duke kërkuar me ngulm votën e opozitës. “LSI nuk është për referendum, por për konsensus mes palëve. Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbështesë heqjen e imunitetit brenda parlamentit. Politika të fokusohet dhe të realizojë në mënyrën më të shpejtë të mundshme heqjen e imunitetit për të ecur në çështjen e integrimit konform Kushtetutës”, tha zëvendëskryeministri dhe Ministri i METE, Edmond Haxhinasto.
Këtë deklaratë Haxhinasto e bëri mesditën e djeshme, pas takimit me bizneset fasone në Berat ku premtoi mbështetje për biznesit fason nëse përmbush kushtet.