E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, Tirana shtyn afatet e regjistrimit

Nga Esmeralda Keta
Udhëzimi i MASH përcakton se nuk mund të ndiqen 2 fakultete njëkohësisht. Pikërisht për këtë arsye, Universiteti i Tiranës po verifikon të gjithë fituesit. 

TIRANE- Universiteti i Tiranës ka shtyrë afatin e regjistrimit të kandidatëve fitues në sistemin e studimeve me kohë të pjesshme. Ky "favorizim" u është bërë, pasi specialistët e Univesritetit të Tiranës, po verifikojnë një më një, të gjithë fituesit, nëse ata rezultojnë se ndjekin njëkohësisht edhe ndonjë fakultet tjetër, gjë e cila i përjashton automatikisht nga lista e fituesve. Gjithashtu UT-ja sqaron se ata kandidatë që rezultojnë se e kanë humbur dëftesën e pjekurisë do të pranohen të regjistrohen edhe me dublikatin e saj.
Shtyhet afati
Dita e djeshme zyrtarisht ka qenë afati i fundit për regjistrimit pranë fakulteteve përkatëse të të gjithë kandidatëve që u shpallën fitues në part-time. Por UT-ja nuk i ka mbyllur regjistrimet e tyre. Kjo pasi rektorati i këtij universiteti ka vendosur ta shtyjë këtë procedurë deri në një afat të papërcaktuar. Shkak për këtë vendim të UT-së është bërë procesi i verifikimit të kandidatëve fitues. "Të gjithë fakultetet e Universitetit të Tiranës po verifikojmë një për një emrat e listës së fituesve. Kjo pasi një pjesë e tyre vazhdojnë aktualisht një shkollë të lartë me kohë të plotë dhe kanë aplikuar edhe për sistemin part-time, gjë që është e ndaluar. Pasi sipas Udhëzimeve të MASH-it, nuk mund të ndjekësh dy fakultete në të njëjtën kohë. Por kjo është një procedurë që kërkon kohë, pasi duhet të marrësh konfirmimin nga të gjithë fakultetet, jo vetëm të Tiranës, por të universiteteve publike në të gjithë vendin. Pikërisht për këtë arsye, ne vendosëm të shtyjmë afatin e regjistrimit të fituesve, pasi jemi ende në proces verifikimi të tyre", - kanë shpjeguar burime pranë rektoratit të UT-së. Gjithashtu ata kanë shpjeguar se edhe vendimin për të mos regjistruar kandidatët që paraqesin vetëm dublikatin e dëftesës së shkollës së mesme e kanë marrë pikërisht për të mos lejuar të regjistrohen ata që po e vazhdojnë aktualisht një shkollë të lartë. "Dublikati i dëftesës së shkollës së mesme na ndihmon për t'i evidentuar më shpejt ata që janë aktualisht studentë në një degë të tjetër. Ata nuk mund të na paraqesin dëftesën origjinale, pasi atë e kanë në fakultetin ku janë studentë. Ndaj edhe ne, këtë kategopri nuk e pranojmë ta regjistrojmë, ndërsa kategoria tjetër, që vjen të regjistrohet me dublikat të kësaj dëftese dhe nuk na figuron student në asnjë degë tjetër sigurisht që do të regjistrohet edhe vetëm me këtë dokument, pasi kjo tregon se atij i ka humbur me të vërtetë dëftesa e shkollës së mesme", - shpjegojnë ata. Sipas Udhëzimit të Ministrisë së Arsimit data 19 dhjetor 2008 ka qenë afati i fundit të regjistrimit të kandidatëve fitues në part-time, afat i cili është respektuar nga pjesa më e madhe e universiteteve.
Kuota shtesë
Pas shpalljes së kandidatëve fitues, nisur nga fluksi i madh i kërkesave, Universiteti i Tiranës ka kërkuar edhe 800 kuota të tjera shteëse për 4 degë të ndryshme. Fakulteti i Drejtësisë ka kërkuar edhe 400 kuota të tjera shtesë, ndërkohë që ka shpallur edhe 200 fituesit që i ishin akorduar. Ndërkohë që kërkesë për shtesë kuotash ka bërë edhe fakulteti i Ekonomisë, i cili ka kërkuar edhe 100 vende të reja, dhe po aq ka kërkuar edhe fakulteti i Histori-Filologjisë, me nga 100 kuota shtesë për të tre degët ku aplikon part-time: Letërsi, Histori dhe Gjeografi.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›