Tiranë, shpërthehet me eksploziv dera e marketit
hNjë sasi eksplozivi është vendosur mbrëmë në derën e një marketi pranë ish- NSHRAK-ut, në Tiranë. Nga shpërthimi është dëmtuar fasada dhe xhamat e dyqanit, por nuk ka të lënduar pasi marketi ka qenë i mbyllur kur ndodhi ngjarja.
TIRANE- Një shpërthim i fuqishëm ka tmerruar banorët e zonës pranë ish- NSHRAK-ut, në Tiranë. Eksplozivi i vendosur në derën e marketit "Igli", ka sjellë dëmtimin e fasadës dhe të xhamave të dyqanit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme. Në momentin e shpërthimit dyqani ka qenë i mbyllur dhe nuk raportohet të ketë pasur të lënduar. Me të marrë sinjalizimin përkatës, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës dhe oficerët e seksionit të shkatërrimit të pronës. Policia mori në pyetje pronarin e dyqanit Skënder Delgjeka, i cili mësohet se nuk ka deklaruar të ketë pasur konflikte apo kërcënime.
(s.g/BalkanWeb)