E Diel, 1 Nëntor 2026

Një pako mirëseardhjeje për bebet e porsalindura

Nga Esmeralda Keta
Ministria e Shëndetësisë firmos marrëveshje me "Zero Pozitiv Publicis". Pakoja do të ketë broshura informative për nënat e reja, si edhe produkte të domosdoshme për foshnjën. 

TIRANE- Një pako mirëseardhjeje, që përveç disa produkteve më të domosdoshme për një bebe të porsalindur, do të përmbajë edhe broshura informative për nënat. Është kjo rruga që kanë gjetur Ministria e Shëndetësisë dhe "Zero Pozitiv Publicis", e cila do të shpërndajë për të gjitha bebet që lindin në vendin tonë këtë pako, pako e cila do të shoqërohet edhe me fletoren e shëndetit të fëmijës dhe materiale të tjera promocionale. Pakon e mirëseardhjes do ta marrin çdo muaj për një vit rresht dhe ato do të shpërndahen në të gjithë territorin e vendit. Çdo muaj do të shpërndahen nga 2500-3000 pako të tilla, po aq sa është edhe numri i lindjeve të foshnjave.
Projekti
Ky projekt ndryshe, është konceptuar për nënën që sapo ka lindur foshnjën e saj. Ai ka të bëjë me përgatitjen e një "pakoje mirëseardhjeje" për çdo fëmijë që vjen në jetë, e cila do t'u jepet të gjitha nënave në maternitetet e Shqipërisë apo qendrat e tjera analoge, kur ato sjellin në jetë një foshnje. "Kjo do të jetë një pako mirëseardhjeje për të sapolindurit, që janë rreze drite në çdo shtëpi dhe gëzim për të tërë ne. Kjo pako do të ketë broshura informative aq të dëshiruara për nënat e reja, si edhe produkte të domosdoshme për foshnjën, si: peceta të lagura, vaj, krem pudër, shampo, sapun e shumë të tjera. Sipas statistikave, në vendin tonë ka 35 mijë lindje në vit dhe këto pako do të jenë 2500 deri në 3000 në muaj dhe do të shpërndahen për çdo foshnje të lindur, nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë", - është shprehur ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dje gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me shoqërinë "Zero Pozitiv Publicis", e cila ka marrë përsipër realizimin e këtij projekti, që synon të jetë sa më pranë nënës dhe foshnjave.
Risia
Ky projekt synon që nëpërmjet ofrimit të "Pakos së Mirëseardhjes", të mund të ndikojë në rritjen e njohurive të nënave të reja, prindërve apo kujdestarëve të fëmijëve për mirërritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të foshnjave, si shprehje e kujdesit dhe vëmendjes së shoqërisë ndaj nënës dhe fëmijës. Është bërë e ditur se kjo do të jetë një ndihmë e vazhdueshme, pasi pakot do të shpërndahen gjatë gjithë vitit dhe në baza mujore, të shoqëruara me dokumentacionin për evidenca të sakta të pranim-dorëzimit, duke mbuluar të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, "Pakoja e mirëseardhjes" do të shoqërohet me fletoren e shëndetit të fëmijës dhe materiale të tjera promocionale të përgatitura nga Ministria e Shëndetësisë, që kanë për qëllim ndikimin tek nëna për rritjen e një fëmije të shëndetshëm. Ministria e Shëndetësisë angazhohet që nëpërmjet sektorit që mbulon shëndetin riprodhues pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, të ofrojë informacionet e nevojshme lidhur me numrin e lindjeve në territorin e Shqipërisë, të ofrojë informacione dhe dokumente për politikat, strategjitë dhe rregulloret e ndryshme në këtë fushë; të përcaktojë mënyrat dhe përgjegjësitë e shpërndarjes së këtyre materialeve në institucionet e kujdesit shëndetësor publik që ofrojnë kujdes në lindje; si edhe të ofrojë mundësi për dorëzimin e 'Pakos së mirëseardhjes - Foshnjës time' në maternitetet dhe institucionet shëndetësore në mbarë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Shpërblimi me lekë
Në fakt ky projekt, i cili do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, vjen pas disa nismave për bebet e porsalindura. E para ka qenë bashkia e Tiranës, e cila për çdo foshnje që vjen në jetë në kryeqytet, nëna shpërblehet me 5 mijë lekë të reja. Ndërkohë që, vetëm disa muaj më parë edhe qeveria mori një nismë të ngjashme, me anë të së cilës çifti i prindërve shpërblehet me 5 mijë lekë të reja për çdo lindje të regjistruar. Në fakt, kjo nismë e qeverisë kishte më shumë në fokusin e saj komunitetin rom, që i lënë fëmijët të paregjistruar në gjendjet civile. Shpërblimi prej 5 mijë lekësh të reja ka shërbyer edhe si një shtytje për këtë kategori për të regjistruar fëmijët e tyre.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›