Meta: Të ndahemi nga Gërdec-Qeveria dhe politika e re hipokrite
Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje Konferencën e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Qarkun e Korçës. Duke përshëndetur gratë e LSI-së së këtij qarku, Kryetari i LSI-së Ilir Meta shprehu entuziazmin që kjo parti gjente një mbështetje kaq të madhe në këtë qark. “Ne duhet të ndahemi njëherë e mirë nga Gërdec-Qeveria, nga morali që ajo përfaqëson, e cila ka si qëllim vetëm fitimet kolosale të Sali Berishës, të familjes së tij dhe të gjithë klanit të tij, dhe që ka si pasojë varfërimin e gjithë familjeve shqiptare. Ndaj unë jam i bindur se Korça dhe gjithë Shqipëria do të japë përgjigjen e duhur më 28 qershor”, tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh se shqiptarët kanë nevojë për një politikë të drejtpërdrejtë dhe johipokrite. “Unë jam i bindur se nuk mund të pajtoheni me hipokrizinë e politikës së re, e cila vetëm gjëra të reja nuk sjell. Nuk është politikë e re, sepse po të ishte e tilla, z. Rama dhe deputetët e PS-së i bashkonin votat me LSI-në për të ngritur Komision Parlamentar, për të hetuar tragjedinë e Gërdecit. Por ai nuk i dha votat, sepse prishej ‘Viti i Mjaltit’ me Sali Berishën, sepse kaq zgjati dhe periudha e këtij bashkëpunimi mes lidershipit të PS-së dhe PD-së, që filloi me Gërdec-Kushtetutën dhe përfundoi me Kodin Zgjedhor”, tha Meta. Kreu i LSI-së, duke përshëndetur gratë e pranishme në këtë konferencë, tha se “filozofia e LSI është bashkëqeverisja me të gjithë korçarët dhe me të gjithë shqiptarët. Kjo është arsyeja që ne po rritemi dhe po zgjerohemi çdo ditë”. Meta u shpreh se PD dhe PS i ka zënë paniku, sepse këto forca të vjetra nuk ofrojnë asgjë serioze përveç mashtrimeve pafund që shikoni në spotet e Qeverisë Berisha, dhe në spotet e Bashkisë së Tiranës.