E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, ngrihen komisione për përzgjedhjen e fituesve

13/12/2008  Pas mungesës njëvjeçare shtohen kërkesat për studimet me kohë të pjesshme

Ndonëse regjistrimet për pranimet në studimet part-time mbyllen nesër në mesditë, pjesa dërrmuese e degëve në fakultete publike që do të ofrojnë këto studime i kanë tejkaluar kuotat e përcaktuara. Për këtë pritet që menjëherë pas mbylljes së regjistrimit për aplikantët të nisë faza e selektimit të kandidatëve që do të shpallen fitues. Drejtuesit e fakulteteve publike pohojnë se tashmë janë afishuar të gjitha procedurat nëpër ambientet publike të fakulteteve se si do të bëhet përzgjedhja, ku kriteri bazë që do të lejojë renditjen e fituesve do të jetë mesatarja e shkollës së mesme.

Regjistrimet

Interesi për ndjekjen e studimeve part-time gjatë këtij viti ka qenë shumë i lartë, çka faktohet me tejkalimin e kuotave të përcaktuara për këtë vit që në dy ditët e para të çeljes së regjistrimeve. Edhe për këtë vit degët më të kërkuara, si ato të Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shkencave Sociale si dhe Fakultetit të Drejtësisë, kanë shënuar bumin më të madh të aplikimeve. Sekretaritë e fakulteteve pohojnë se pjesa dërmuese e këtyre degëve i kanë tejkaluar kuotat e përcaktuara që ditët e para të regjistrimeve. Fluks të lartë aplikimesh ka pasur dhe në degën e psikologjisë, e cila hapet për herë të parë për pranimet me kohë të pjesshme. Po ashtu fluks i lartë është parë edhe në degët e gjuhë-letërsisë, historisë, drejtësisë si dhe në Universitetin Bujqësor. Ndërsa në Fakultetin e Ekonomikut deri dje mbeteshin ende të paplotësuara edhe 100 vende nga kuotat e përcaktuara.

Fituesit

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë Skënder Kaçupi shprehet se udhëzimi përkatës i regjistrimeve përcakton që përzgjedhja e fituesve do të bëhet nga komisionet e posaçme. Kështu, duke filluar nga dita e hënë e javës së ardhshme në të gjitha degët ku janë tejkaluar regjistrimet në krahasim me kuotat e miratuara, do të fillojë selektimi i fituesve, ku kriter diferencues do të jetë mesatarja e shkollës së mesme. Publikimi i tyre do të bëhet brenda një afati të shkurtër një ose dyditor dhe më pas do të nisë procedura e regjistrimeve përfundimtare, ku edhe për tri ditë të tjera me radhë fakultet do të bëjnë regjistrimin definitiv të kandidatëve fitues. Përkundrejt këtyre të gjitha procedurave parashikohet që fillimi i mësimit për këta kandidatë të bëhet menjëherë pas regjistrimit të tyre.

Fituesit

Tejkalohen kuotat e përcaktuara nga qeveria për kuotat e part-time të 2008-2009-s.

Fakultet ngrenë komisione të posaçme me specialistë për përzgjedhjen e fituesve.

Kriteri selektues për rastet kur ka më shumë kërkesa sesa oferta do jetë mesatarja.

Pas datës 16 dhjetor pritet të nisë regjistrimi i fituesve të rinj të përzgjedhur e më pas mësimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›