E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, rishikimi i masës së caktuar

25/10/2011  Kërkesat tip që të pakënaqurit duhet të depozitojnë për rishqyrtim mbi përfitimin e lidhur

Procedura i kalon gjykatës kur pas shqyrtimit mbetet i njëjtë

Pensionistët e pakënaqur me masën e përfitimit mujor që u është caktuar, mund të kërkojnë rishqyrtimin e tij pranë organeve të sigurimeve shoqërore në mënyrë të specifikuar për trajtimet e pleqërisë, invaliditetit, ato familjare apo dhe të llojeve të tjera. Për të konfirmuar rishqyrtimin e dosjes, pensionistët duhet të plotësojnë kërkesën përkatëse, në të cilën detajohen të gjitha problemet e konstatuara prej tyre sa i takon masës së pensionit. Kjo procedurë duhet të ndiqet jo vetëm nga përfituesit e rinj që i shtohen rishtazi skemës çdo vit (të cilët mund të kenë pakënaqësi në lidhje me verifikimet dhe vlerësimet e bëra gjatë detajimit të historikut të tyre të punës mbi vjetërsinë e kërkuar apo dhe moshën), por dhe nga ata pensionistë që janë prej vitesh në skemën e trajtimit. Për këta të fundit shkak për rishqyrtimin e përfitimeve mund të bëhen ndryshimet mbi rritjet e përvitshme që aplikon qeveria, sikundër dhe rishikimin e së drejtës për të përfituar nga 9 llojet e kompensimeve që kjo skemë aktualisht përmban. Në këto kushte, masa e rritjes si dhe kompensimet përkatëse i mbivihen masës së përfitimit, duke detajuar edhe trajtimin definitiv për aplikuesin. Gjatë vitit të fundit rishqyrtimi i masës së pensionit ka nisur të bëhet edhe për pensionet e ish-ushtarakëve, përfitues të cilët i shtohen skemës javë pas jave me shpalljen e lidhjeve të reja të caktuara nga sigurimet shoqërore. Në kërkesën për rishqyrtim që depozitohet pranë organeve të sigurimeve, ku hidhen të dhënat e detajuar të ankimuesit listohen edhe dokumentacionet përkatëse në lidhje me historikun e punës së përfituesit, të cilat do të kalojnë sërish për rishikim. Pas verifikimit të këtyre të dhënave nga ekspertët e këtij instituti, shpallet masa e re e pensionit, e cila në raste të caktuara nga ndonjë pasaktësi mund edhe të ndryshojë. Ndërsa në rastet kur masa e pensionit edhe pas rishqyrtimit mbetet e njëjtë me atë të caktuar më parë, pensionistit nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’u drejtohet organeve gjyqësore për të zgjidhur më tej se çdo të ndodhë me masën e tij të pensionit. Krahas rishqyrtimit të masës së përfitimit që u është caktuar, pensionistët në rast të ndryshimit të vendbanimit të tyre mund të aplikojnë edhe për transferimin e dosjes së pensionit duke plotësuar kërkesën përkatëse. Kërkesa paraqitet tek inspektori pritës pranë organeve të sigurimeve shoqërore, i cili më pas do të verifikojë se cila është qendra paguese postare ku pensionisti tërheq pensionin, cila është drejtoria rajonale e sigurimeve në territorin e të cilës është qendra pasuese nga ku do të transferohet dosja e pensionit dhe urdhërpagesa. Pasi i gjen dokumentet dhe kërkesën të rregullt, bën regjistrimin në librin e pritjes në rubrikën "Kërkesa për transferim pensioni".

Rritja dhe kompensimet

Pas rritjes së bërë në korrik pensionet minimale të qytetit kanë arritur në 13267 lekë, ndërsa pensionet e plota në 22734 lekë. Sa u takon pensioneve të fshatit pas aplikimit të rritjes masa e pensionit ka arritur në 8358 lekë, ndërsa pensioni i plotë i fshatit ka arritur në 11317 lekë. Brenda kësaj shume përfshihen edhe kompensimet që kanë të bëjnë me ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike, lëndëve djegëse, bukës, vajgurit e gazit të lëngshëm, 2 llojet e kompensimet të miratuara në 2006, si dhe rritjet e bëra gjatë viteve të fundit.

Transferimi i pensionit

Kërkesa për transferimin e pensionit bëhet në agjencitë rajonale të sigurimeve shoqërore ku pensionisti ka vendbanimin e ri, sipas modelit përkatës. Kjo kërkesë për transferim pensioni shoqërohet me certifikatën familjare nga zyra e gjendjes civile të vendbanimit të ri, certifikate personale, kopje e kontratës midis pensionistit dhe KESH-it, kur është e mundur dhe kur kërkohen kompensime, si dhe vërtetimin për ndjekjen të shkollës. Pas verifikimit të tyre bëhet aprovimi për transferimin e dosjes së përfitimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›