“Në projektin tonë evropian nuk ka dhe nuk mund të ketë të përjashtuar, në këtë projekt fiton çdo qytetar shqiptar”
Më 28 qershor, vendosim për të bërë realitet ëndrrën tonë evropiane
Në mbrëmjen e djeshme Kryeministri Sali Berisha bëri xhiron e fundit të fushatës elektorale në qytetin e Korçës. Në fjalës e tij përshëndetëse kryeministri u shpreh se, “jam tek ju për të festuar me bashkë fitoren e 28 qershorit, ditës në të cilën së bashku vendosim për të bërë realitet ëndrrën më të bukur të Korçës, të korçarëve dhe fëmijëve të tyre, të mbarë shqiptarëve, ëndrrën tonë evropiane tha Kryeministri Berisha”.
“Në 28 qershor ne vendosim që qytetarët e Korçës e të mbarë Shqipërisë të ecin të sigurt në realizimin e një ëndrre, në kapjen e një horizonti të ri. Korça qëndron të krye të fitores sonë. Fitorja ka fytyrën e Korçës, ka bukurinë e saj, ka pastërtinë e shpirtit të saj”, tha Kryeministri.
Dhe një herë Kryeministri bëri apel që të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit. Duke theksuar se të votojmë së bashku për të hequr vizat, vitin e parë të mandatit tonë të dytë, të votojmë së bashku për të krijuar në Korçë e në mbarë Shqipërinë 160 mijë vende pune të reja, të votojmë së bashku për të urbanizuar çdo rrugë e rrugicë të Korçës e fshatrave të saj e të mbarë Shqipërisë, për të garantuar 24 orë ujë për mbarë qytetarët shqiptar, të votojmë së bashku për të barazuar pensionet e fermerëve të Korçës, me ato të qytetit, për të shpërblyer pensionistët tanë dhe punonjësit me pensione dhe rroga më të larta se ato të 6 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Kryeministri u shpreh se në projektin tonë evropian nuk ka dhe nuk mund të ketë të përjashtuar. Në këtë projekt fiton çdo qytetar shqiptar, çdo i ri, çdo i moshuar, çdo burrë e çdo grua që sheh të ardhmen e tij më të mirë në Evropën e bashkuar.
“Sot, duke ardhur tek ju, me deputetin tuaj dhe Ministrin e Financave Bode, ne inauguruam fillimin e punimeve të autostradës Qafë Plloç- Qukës. Unë ju jap këtu fjalën e nderit se, sapo të përfundojë projekti i të gjithë trajektores, autostrada do të prokurohet në të gjithë trajektoren e saj, përfshi tunelin” tha Kryeministri. Duke u garantuar se ju, të qytetarëve të Korçës se shumë shpejt do të fillojë autostrada Elbasan - Tiranë dhe Korça me Tiranën do të përgjysmojë distancën”, premtoi Kryeministri.
Thirrje Kryeministri i bëri dhe emigrantëve duke ju thënë se; i ftoj të vijnë e të bashkojnë votën e tyre me ne, sepse me votën e tyre ne do të ndërtojmë Korçën e rrugëve, të punësimit, e fermave, e autostradave, e shkollave, e shërbimit shëndetësor evropian. Me votën e tyre ne do të bëjmë që Korça e mbarë Shqipëria të kapin në katër vitet që vijnë një horizont që sot syri ynë nuk e kap dot.
“28 qershori është dita e shpirtit tonë demokratik, është dita e maturisë sonë. Ndaj, le të votojmë ne me qytetarinë e Korçës, me pjekurinë e saj, të shkojmë në këto zgjedhje si qytetarë të denjë të Korçës, Shqipërisë e Evropës. 28 qershori nuk ka të humbur. Në 28 qershor fitojnë të gjithë korçarët, të gjithë shqiptarët, fitojnë fëmijët e tyre, fiton mbarë Shqipëria”, theksoi Kryeministri Berisha.
Më tej shtoi se, në 28 qershor votoni gjithë 10-ën. Duke qe quajtur Korçën 10 me yll në ballë, votoni 10-ën, sepse 10 janë korçarët, janë fëmijët e tyre të mrekullueshëm, janë familjet e tyre të shkëlqyera, është Korça blu, është Shqipëria blu, është Partia Demokratike, është Evropa blu që mezi pret Korçën e Shqipërinë me projektin e tyre madhështor të Korçës evropiane, të Shqipërisë evropianet u shpreh kryeministri Berisha.
Pasditen e djeshme kryeministri Berisha inauguroi, fillimin e punimeve për ndërtimin e Lotit të parë të rrugës Qukës- Qafë Plloç.
Në fjalën e tij përshëndetëse me qytetarë të kësaj zone, kryeministri Berisha u shpreh se, “Rruga Qukës- Qafë Plloç, është jashtëzakonisht e rëndësishme për Korçën, Mokrën, Librazhdin e mbarë Shqipërinë”.
Gjithashtu kryeministri Berisha tha se, ne rikthejmë rrugën e lashtë Egnatia, rrugë në të cilën, në shekuj e shekuj, karvanët e shqiptarëve udhëtuan për tregti e qëllime të tjera.
Duke shprehur kënaqësinë e tij kryeministri deklaroi se, kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse shkurton në mënyrë shumë të ndjeshme distancën e Korçës, Bilishtit e Kolonjës me Tiranën, çka është një qëllim madhor i qeverisë së tij. Duke thënë se gjëja më e çmuar që kemi ne është koha, prandaj, sa më shumë kohë të kursejmë, aq më shpejt do të zhvillohemi, theksoi kryeministri.
Më tej kreu i qeverisë shpreh një kënaqësi të veçantë për Mokër, duke e cilësuar si një trevë e atdhetarizmit të flaktë, një krahinë që i ka qëndruar me dinjitet të madh historisë dhe ka bërë historinë e patriotizmit dhe e përpjekjes së shqiptarëve për liri e dinjitet.
Kryeministri u shpreh se, paralel me këtë projekt, do të nisë menjëherë puna për ndërtimin e autostradës së re Elbasan – Tiranë. Duke përmendur inaugurimin e veprës më të madhe publike të të gjitha kohërave që kombi shqiptar ka ndërtuar. Kryeministri theksoi se, ky inaugurimi dhe ndërtimi i saj në 2 vjet e katër muaj, lartëson shumë Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
...