Dom Anton Kçira, Apostull i shqiptarizmit të përhershëm
“Mund të them, se Imzot Kçira, është një burrë i madh e trim. Është një njeri i feshëm e i atdheshëm, pra fetar dhe atdhetar i madh. Imzot Kçira, me jetën dhe veprën e tij, e vazhdon traditën e hershme shqiptare të Pal Engjëllit, Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Gjeçovit, Imzot Nikë Prelës e shumë e shumë burrave të famshëm të kombit tonë. Ai është gjithnjë njeri i pajtimit dhe forcimit të besimit në Zotin. Ai është njeri i madh i kombit tonë. Ndihem krenar, që e kam mik dhe krah të fortë mbështetës në punët e Kosovës, vendit tonë të shtrenjtë”. Janë këto fjalë tepër domethënëse, që Presidenti i paharruar historik, Gandi i Kosovës i pavdekshmi Dr. Ibrahim Rugova, i përsëriste shpesh në shenjë nderimi dhe respekti të madh, që kishte për mikun e tij të idealeve të shenjta kombëtare, klerikun e personalitetin e shquar të komunitetit shqiptaro - amerikan, burrin e madh të palodhur të popullit të vet në Amerikë e Kosovë: Dom Anton Kçirën. Kisha katolike shqiptare në Detroit, është më e madhja në botën shqiptare dhe një muze i gjallë historik ose pasqyra e trojeve etnike shqiptare në miniaturë. Kryesia e Lidhjes së Prizrenit me Qendër në Nju-Jork dhe degët e saj nëpër shtete e qytete të ndryshme nëpër botë e priti me kënaqësi të veçantë ftesën e Këshillit Organizues, pranë Kishës së Shën Palit në Detroit (Michigan), për kremtimin e 70-vjetorit të lindjes së meshtarit të madh të komunitetit shqiptaro - amerikan Dom Anton Kçirës. Që në moshën adoleshente, unë kam pasur fatin, nderi, privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të njihem nga afër me jetën dhe veprën e Dom Anton Kçirës, qysh kur ai ishte meshtar në vendlindjen tonë të përbashkët në Dardani.
E mbaj mend si sot, këtë burrë të gjatë si lisat e bjeshkëve tona kreshnike, energjik, të palodhur dhe me vizion e vendosmëri të patundur, për t’i çuar gjërat deri në fund. Vështrimi i syve të tij si shqiponjë, karakteri i një burri të fortë dhe stoik përpara vështirësive, që pushtuesit shekullorë serb i bëheshin pengesë meshtarit tonë, në misionin fisnik si fetar dhe atdhetar i flaktë, kam gdhendur thellë në memorien time një pinjoll të denjë të pararendësve të shquar prelatë të Kishës Katolike në trojet etnike shqiptare ndër shekuj. Një koincidencë historike, sot është dëshmitare e kujtimeve të mia. Ende e kam të freskët kujtimin e 42 vjetëve më parë. Ishte moment shumë i bukur dhe mbresëlënës shugurimi si meshtar në Gjakovë i Dom Anton Kçirës, më 29 Qershor të vitit 1967, në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Prifti i ri kishte marrë kuletin e bardhë, petkat dhe famullinë për ta çuar me devocion në rrugën e vreshtës së madhe të Zotit…
Një vit më pas, më 13 Qershor 1968, kisha kënaqësinë, nderin dhe privilegjin të marr pjesë në meshën kryesore të Ditës së Shna Ndout (Shën Antonit), që është edhe dita e emrit të vetë meshtarit. Gjatë predikimit plot elokuencë bariu i përvuajtur shpirtëror, ishte i sigurt në përcjelljen e mesazheve fetare dhe atdhetare tek besimtarët e shumtë, që asokohe kishin ardhur nga shumë zona të largëta për ta dëgjuar. Por ai kishte rënë shumë shpejt në sy të keq tek pushteti sllavo-komunist i ish-Jugosllavisë asokohe, që kishte vënë agjentët e UDB-së, që mbetën të habitur nga fjalët plot urrejtje kundër komunizmit... Dom Antoni, që e dinte se UDB-ja ishte prezent me njerëzit e vet, nuk i bënte syri tërr. Mbas meshës krahas urimit të ditës së emrit ai mori përgëzimet nga Ipeshkvi dhe meshtarët e tjerë bashkëcelebrues për predikimet e tij me nivel, që përvetësuan shpirtërisht popullin besimtar. Ishte një rast i rrallë, që një meshtari të ri t’i caktohet nderi të kryesojë meshën dhe predikimin para mijëra besimtarëve.