E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Republikane, dyshime për manipulim votash në Poliçan

13-05-2011 / Gazeta 55

-- Kemi fakte, duam rinumërimin e votave në bashkinë e Poliçanit


-- Lefter Maliqi: Padi për manipulime me votat në komunën Otllak


Nënkryetari i Partisë Republikanë Neritan Alibali denoncoi dje fenomenin e tjetërsimit të votave, ndërsa bëri me dije se forca politike që ai përfaqëson ka fakte se në Poliçan janë manipuluar votat. Do kërkojmë rinumërim tha nënkryetari i PR-së. Sipas tij, PR kërkon respektimin e Kodit Zgjedhor dhe manualin e KQZ-së, porsa i takon të drejtës së këshilltarëve për të vëzhguar zgjedhjet. “Partia Republikane kërkon respektimin e kodit zgjedhor dhe manualit të KQZ-së për sa i përket të drejtës së këshilltarëve për të vëzhguar zgjedhjet, gjë e cila deri tani nuk është respektuar, duke bërë të pamundur transparencën në numërimin e votave në shumë zona të Shqipërisë. Ne gjithashtu do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjore dhe do të kërkojmë rinumërimin e votave në bashkinë e Poliçanit pasi kemi fakte për manipulimin e votës së qytetarëve që ka çuar në tjetërsimin e rezultatit. PR nuk do të ndalet në denoncimin e çdo force politike kushdo qoftë ajo dhe çdo individi, i cili do të tentojë të transferojë apo të tjetërsojë votat e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Alibali. Numri 2 i republikanëve bëri thirrje edhe për përshpejtimin e procesit të numërimit të votave në Tiranë, ndërsa shtoi se vullneti i qytetarëve i shprehur me votë të vlerësohet ashtu siç është. “Ne i kërkojmë komisionerëve dhe numëruesve që të kryejnë detyrën e tyre me korrektesë deri në fund, për të numëruar çdo votë, duke bërë të mundur që vullneti i çdo qytetari të Tiranës të shprehur me votë të vlerësohet siç duhet”, tha Alibali.


Maliqi: Padi për manipulime me votat në komunën Otllak

Deputeti i djathtë i qarkut të Beratit Lefter Maliqi ka dalë dje në një konferencë për shtyp ku ka denoncuar sipas tij shkeljet që janë bërë nga ana e komisionerëve të PS-së në komunën Otllak, ku doli fitues me një diferencë prej nëntë votash kandidati i PS-së Dalip Kanaçi kundrejt kandidaturës së djathtë të Durim Myftarit.
Maliqi u shpreh në këtë konferencë se ka bërë kallzim penal në prokurori dhe është duke u përgatitur ankimimi që do të mbërrijë pranë Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve për manipulimet që janë bërë pranë Komisionit Zonal me numër 2 ku u numëruan votat e komunave të rrethit të Beratit. “Jam këtu për të deklaruar se sot kemi bërë kallëzim penal për manipulimin e procesit zgjedhor në komunën Otllak. Për vjedhjen e hapur të votave, për vjedhjen e 362 fletëve të votimit të qendrave 34 dhe 35 të fshatrave Lapardha 2 e Dyshnik, dhe zinxhirin e manipulimeve të përgatitura në fshatin Qereshnik, jo vetëm vjedhje të fletëve të votimit, por dhe një sërë shkeljesh të tjera, votimet pa qenë persona të pranishëm, kërcënime të komisionerëve, etj shkelje. Për të gjitha këto shkelje po vazhdojnë kallzimet dhe po përgatitet ankimimi i rezultatit për komunën Otllak”, deklaroi më tej deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Beratit, Lefter Maliqi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›