Partia Socialiste po shpërblen kasapët e diktaturës për krimet e tyre mizore
Kryeministri Berisha deklaroi dje se Shqipëria është veçse në fillimin e procesit të dënimit të krimeve të komunizmit dhe se ndëshkimi i fajtorëve do të duhet të vijojë me durim e vendosmëri, për t’u ndarë njëherë e mirë nga kapitulli më tragjik i historisë tonë kombëtare
TIRANE - Mazhoranca konfirmon edhe njëherë se qëndrimi i saj ndaj ligjit të lustracionit nuk do të ndryshojë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të pezulluar ligjin.
Zotimin e dha dje kryeministri Sali Berisha, në ditën kombëtare të qëndresës së viktimave të komunizmit, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në kujtim të viktimave të shkaktuara nga diktatura komuniste në Shqipëri.
Kryeministri theksoi se qeveria që ai drejton nuk do të tërhiqet nga ligji i lustracionit dhe se ky do të jetë një proces i pandalshëm dhe që do të ecë plotësisht në raport të drejtë me rregullat e shtetit ligjor.
Në këtë aspekt, kryeministri bëri të ditur se Shqipëria është vetëm në fillimin e një procesi të dënimit të krimeve kundër njerëzimit, proces jetik dhe i domosdoshëm për paqen sociale të këtij kombi, për fisnikërimin, për virtytet dhe për moralin e tij. Berisha u shpreh, se edhe pas 18 vitesh kasapët e diktaturës vazhdojnë të drejtojnë poste të larta vendimmarrëse dhe të dëmshpërblyer nga Partia Socialiste, për krimet mizore të kryera ndaj shqiptarëve, gjatë viteve të errëta diktatoriale.
Duke iu referuar “avokatisë” së hapur që PS po u demonstron xhelatëve të diktaturës, kryeministri Berisha i kërkoi kësaj force politike që t’u kërkojë falje të gjithë shqiptarëve dhe të distancohet nga e kaluara e hidhur. “Sot, sërish, pas 18 vitesh, ata të cilët shërbyen si hanxhar të diktaturës, që urdhëruar dhe firmosën varje dhe zvarritje, janë në segmente të caktuara të pushtetit. Sot, sërish ata të cilët dëmshpërblyen autorët e krimeve monstruoze kundër njerëzimit, ata që firmosën ekzekutimin pa gjyq të dhjetëra e qindra intelektualëve shqiptarë, ata që firmosën dëbimin dhe internimin e dhjetëra e mijëra shqiptarëve dhe që u ndëshkuan në mënyrë simbolike nga ligji i dënimit të krimeve kundër njerëzimit, u dëmshpërblyen për ato pak vite që bënë, po nga ata të cilët shërbyen si hanxhar të krimeve kundër njerëzimit, u dëmshpërblyen nga Partia Socialiste, e cila në dëmin më të madh të saj, në dëmin më të madh të paqes sociale të vendit, nuk merr përsipër të kërkojë të falur dhe të distancohet nga kjo e shkuar tmerrësisht e rëndë dhe e hidhur për kombin dhe vendin”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se tek të gjithë shqiptarët ka krijuar një brengë të thellë fakti i pezullimit të ligjit të lustracionit, nga një grup personash në konflikt të plotë interesi, subjekt parësor i veprimit të ligjit. Por sërish, tha Berisha, duke mbetur të vendosur në këtë proces, kërkoj dhe u ftoj të keni mirëkuptim. “Ky proces është i pandalshëm, është i parikthyeshëm, ai do të ecë gjithnjë brenda rregullave të shtetit ligjor. Ju të parët, i dhatë kombit dhe vendit leksionin më të madh. Në asnjë rast e në asnjë rrethanë nuk i lejuat vetes të rrëmbeheni nga hakmarrja, sepse asgjë nuk do të dëmtojë qëllimin tonë, sesa në rast se ne shndërrojmë një proces të tillë në hakmarrje. Hakmarrja dhe demokracia, hakmarrja dhe e ardhmja janë absolutisht të pa pajtueshme. Ndaj le të vazhdojmë betejën tonë me durim, me vendosmëri, për t’u ndarë njëherë e mirë nga ky kapitull më tragjiku në historinë tonë kombëtare”, nënvizoi kreu i qeverisë Sali Berisha.