E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, Ashton: “Heqja e vizave duhet të bëhet në shkëmbim të reformave”



Shefja e Diplomacisë në Bashkimin Europian, Katerine Ashton, ka deklaruar dje në Parlamentin Europian se heqja e vizave duhet të bëhet në shkëmbim të reformave. Ajo theksoi se BE-ja duhet t’i ndihmojë vendet në reformat që do t’i çojnë në liberalizimin e vizave. “Bashkimi Europian duhet të dëshmojë se është në gjendje të ndihmojë reformat në vendet fqinje, nga Bjellorusia në Marok, nëse dëshiron që të merret seriozisht si lojtar global", - deklaroi ajo. Sipas shefes së Diplomacisë europiane, edhe në Ballkan BE-ja duhet të këmbëngulë për reforma politike. Ashton tha se heqja e regjimit të vizave dhe tregtia e lirë janë elemente të rëndësishme në duart e politikës europiane për të çuar përpara reformat në Ballkan.
Vizat
Parlamenti Europian njoftoi dy ditë më parë lehtësimin e lëvizjes për zonën “Shengen” për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës. Qytetarët e shteteve jashtë BE-së që kanë marrë një vizë tremujore në një nga vendet e zonës “Shengen”, lejohen të udhëtojnë lirshëm në të gjitha shtetet e tjera të kësaj zone. Rregullorja e re e PE-së, me 562 vota pro, 29 kundër dhe 51 abstenime, do të hyjë në fuqi më 5 prill të këtij viti. Rregullat e reja synojnë të rrisin lëvizjen e lirë dhe nuk do të kenë elemente shtesë të sigurisë në porte apo aeroporte. Por këto rregulla nuk do të zbatohen në asnjë rast në Britaninë e Madhe, në Irlandë dhe Danimarkë, pasi këto shtete nuk janë pro kësaj rregulloreje. Me legjislacionin e ri, një vizë D afatgjatë (më shumë se tre muaj) i mundëson shtetasit nga vendet jashtë BE-së që të qëndrojë tre muaj brenda një periudhe 6-mujore në të njëjtat kushte si një shtetas me leje qëndrimi jashtë. Shumica e shteteve të BE-së do të jenë në gjendje të përdorin Sistemin Informativ Shengen (SIS), për të konsultuar listat e udhëtarëve.
Debati
Gjatë diskutimit dy ditë më parë në Parlamentin Europian u debatua për ndryshimet në rregulloren e Konventës për zbatimin e Marrëveshjes “Shengen”. Europarlamentarja Tanja Fajon ka kërkuar mënjanimin e çdo pengese në lidhje me liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Fajon është mbështetur nga eurokomisionerja për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom. Çështja e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën ishte në qendër të takimit të europarlamentares Fajon me eurokomisionerin për Zgjerim, Shtefan Fule. Ndërsa, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dy ditë më parë ka deklaruar se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kriteret që përshkruhen në Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Basha garantoi se liberalizimi i vizave për Shqipërinë do të bëhet brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë “Berisha”, ku sipas tij i bie shtatori. Sipas ministrit Basha, janë procedurat burokratike ato që po vonojnë procesin e liberalizimit të vizave. Ai bëri të ditur se skuadra ekspertësh po përgatisin raportet e tyre dhe këto raporte do të përbëjnë bazën e raportit që Komisioni ua shpërndan vendeve anëtare. Më tej, tha Basha, vendet anëtare në formën e Këshillit të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, do të marrin vendimin për adoptimin e të njëjtit vendim, siç kanë marrë edhe me 3 vendet e tjera.

11 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›