Shefi i UMNIK-ut: “Jo zgjedhje lokale në Kosovë"
Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Joackim Ruecker, i ka thënë BBC-së se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë dhe ka bërë të ditur se çfarëdo përpjekje për t’i mbajtur ato në territorin kosovar do të shënojë shkelje të Rezolutës 1244. Por ai ka thënë se misioni ndërkombëtar as do të pengojë dhe as do të ndihmojë në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe edhe në territorin e Kosovës. Zoti Ruecker ka thënë se do t’i përgjigjet një letre të qeverisë së Serbisë, duke i bërë të qartë se vetëm UNMIK-u mund të organizojë zgjedhje në territorin kosovar. Autoritetet serbe i kanë shkruar shefit të UNMIK-ut, Joackim Ruecker, me kërkesë që të lejojë mbajtjen e dy palë zgjedhjeve edhe në vendbanimet me shumicë serbe.
Arbër Vllahiu i BBC-së bisedoi me zotin Ruecker dhe fillimisht i kërkoi të shpalosë qëndrimin për zgjedhjet serbe në Kosovë.
Ruecker: Para së gjithash më duhet ta bëj shumë të qartë se vetëm UNMIK-ut mund të mbajë zgjedhje në Kosovë dhe zgjedhjet e tjera nuk do të kenë asnjë vlefshmëri këtu, gjithnjë përderisa nuk janë kërkuar nga UNMIK-u. Javën e kaluar unë kam kontaktuar me qeverinë e Serbisë, sepse kam dëgjuar përmes mjeteve të informacionit, se ajo duket se planifikon të mbajë jo vetëm zgjedhje parlamentare, por gjithashtu edhe zgjedhjet lokale në Kosovë. Unë kontaktova me qeverinë e Serbisë dhe e pyeta nëse kjo është e vërtetë. Dhe nëse është kështu, atëherë kjo shënon një shkelje të Rezolutës 1244 dhe të mandatit të UNMIK-ut dhe kjo nuk do të ishte e pranueshme. Që atëherë unë kam patur reagim të qeverisë serbe, e cila i ka shkruar letër UNMIK-ut, në të cilën thotë se është e saktë se do që të mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, por se në një mënyrë respekton mandatin e UNMIK-ut dhe kjo kështu është e shkruar. Unë do të përgjigjem në këtë letër pas konsultave të ngushta me palët që kanë interes në këtë çështje.
BBC: A mund të zbuloni se cila do të jetë përgjigjja për qeverinë e Serbisë, kur bëhet fjalë posaçërisht për zgjedhjet lokale?
Ruecker: Unë do të përsëris se vetëm UNMIK-u ka të drejtën që të thërrasë zgjedhjet në Kosovë. Do të përsëris se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë dhe kjo do të përgjigja jonë themelore. Do ta bëj shumë të qartë se nëse Serbia do të provoj t’i organizojë ato atëherë ato s’do të kenë vlerë.
BBC: Pra ju nuk do t’i lejoni të mbajnë zgjedhje nëse ata provojnë ta bëjnë këtë?
Ruecker: Sikur e thashë ato nuk do të kenë vlefshmëri për Kosovën. Vetëm UNMIK-u që mund të mbajë zgjedhje të tilla dhe këtë do ta bëjë shumë të qartë.
BBC: Zoti Ruecker, por pas 17 shkurtit kemi parë reagimet e serbëve të Kosovës. Pastaj është thënë se ka patur përfshirje të ministrisë së brendshme të Serbisë në çështjet e Kosovës. Mendoni se mund të shkaktohen probleme kur të vijë koha e zgjedhjeve serbe?
Ruecker: Mendoj se ju po aludoni për fushatën parazgjedhore dhe në njerëzit që do të provojnë të bëjnë fushatë këtu. Ne do të provojmë që të vendosim disa kritere për njerëzit që do të bëjnë fushatë sepse, siç e dini, zgjedhjet parlamentare në Serbi duhet të tolerohen sepse këtë e kemi bërë gjithnjë. Ne nuk do t'i pengojmë, por as edhe t'i mbështesim ato. Problemi me të cilin po përballemi janë zgjedhjet lokale dhe ato nuk do të tolerohen. Mund të ketë njerëz që bëjnë fushatë kur bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare dhe ne do të përcaktojmë disa kritere se çka do të lejojmë dhe çka jo.
BBC: Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Javier Solana, ka lënë të kuptohet pak ditë më parë se serbët e veriut mund të marrin pjesë në zgjedhje. Pajtoheni me këtë deklarim?
Ruecker: Nuk jam në dijeni të një deklarate të tillë, por siç e kemi thënë edhe më herët ne nuk do të mbështesim, por as edhe nuk do të pengojmë pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Por ne do ta cilësojmë si shkelje, nëse Serbia provon të mbajë zgjedhje lokale.
BBC: Zoti Ruecker, kemi parë atë që kemi parë në muajt e fundit. Si e shihni ju situatën pas 11 majit?
Ruecker: Mendoj se pajtohem me vëzhguesit, të cilët thonë se duhet të shohim rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe na duhet një qasje e dyfishtë. Na duhet një zbatim i fuqishëm i mandatit tonë në gjithë Kosovën dhe gjithashtu na duhet të flasim me njerëzit. Pra, na duhet një përkushtim dhe dialog dhe kjo do të vazhdojë para dhe pas 11 majit.
BBC: Por kush është përgjegjës për Kosovën sot? Ju si UNMIK, apo BE-ja? Po ju pyes sepse kemi parë certifikimin e Kushtetutës së Kosovës nga zoti Peter Feith. Pse jo ju, nëse jeni përgjegjës për Kosovën?
Ruecker: Tani për tani të gjithë pajtohen, përfshirë edhe ata që kanë interesa këtu, se administrimi civil dhe ai ushtarak vazhdon të jetë mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe për gjithashtu tani për tani edhe Korniza Kushtetuese është ende e vlefshme. Ne kemi marrë në dijeni se Kuvendi i Kosovës ka miratuar Kushtetutën dhe se gjithashtu ajo do të hyjë në fuqi nga mesi i qershorit. Dhe atëherë ne duhet të vëzhgojmë situatën dhe rrethanat që ndryshojnë. Disa rrethana po ndryshojnë shumë shpejt. Por tani ne jemi në muajin prill dhe për momentin ne punojmë jo vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244, por edhe të kornizës kushtetutese.
BBC: Në rregull. Pra cili do të jetë vendimi juaj për Kushtetutën pasi ajo ka kaluar në Kuvend?
Ruecker: Ajo që po ju them juve dhe që është vlerësim i përgjithshëm është se kur kjo Kushtetutë të hyjë në fuqi, diku ka mesi i qershorit, atëherë rrethanat për Kosovën do të kenë ndryshuar, ashtu sikur edhe për UNMIK-un.
11 Prill 2008