Partia e komunikatave

Prej ardhjes së Isa Mustafës në krye të partisë, LDK’a ka ndryshuar edhe formën e komunikimit me publikun.
Për dallim prej kohës kur LDK’ja mbante konferenca për shtyp të premteve, tash partia më e madhe opozitare ka gjetur një formë të re për t’ua komunikuar qytetarëve qëndrimet e saj për problemet me të cilat ballafaqohet Kosova.
Tash, opozitën LDK’ja ka vendosur ta bëjë nëpërmjet dërgimit të komunikatave.
Vetëm të mërkurën, Partia e Isa Mustafës ka reaguar për katër probleme me anë të deklaratave të shkruara, të cilat u janë shpërndarë mediave në formë elektronike.
LDK’ja ka dërguar qëndrimin në e-mailat e redaksive për çështjen e energjisë, regjistrimin e studentëve, pushimet e Ministrit Ramë Buja dhe për mbylljen e RTV Mitrovica.
Për rrymë, LDK’ja ka thënë se Qeveria aktuale ka harruar premtimin për 24 orë energji elektrike, ndërsa po merr vendime ad-hoc.
“Vendimi për heqjen e TC Kosova B nga pakoja tenderuese e projektit Kosova e Re, marrë me datën 16.07.2012, nga Komiteti Drejtues i këtij projekti, tregon se Qeveria e Kosovës nuk ka planifikim afatgjatë për sektorin e energjisë elektrike. Me këtë veprim, Komiteti Drejtues i Projektit konstaton se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vendosur TC Kosova B në paket projektin Kosova e Re, ka qenë i gabuar”, thuhet ne deklaratën e LDK’së.
Ndërsa për regjistrimin e studentëve në shtatë njësi akademike pa test përfundimtar, sipas LDK’së, është i gabueshëm dhe se një hap i tillë nuk duhet të ndodhë.
“Regjistrimet pa provim bëjnë që vlera e degëve të fakulteteve përkatëse të konsiderohet e ulët. Kështu nuk rritet interesimi për të studiuar në këto degë, përkundrazi ulet edhe më shumë”.
Partia e dytë në Kosovë ka reaguar edhe për vonesën e hapjes së konkursit për pranimin e studentëve të rinj, duke thënë se kanë lexuar në shtyp se shkak për këtë ka qenë mungesa e Ministrit Ramë Buja në Kosovë, i cili ka qenë në pushime.
“Në vlugun e punëve, Ministri i Arsimit, z. Ramë Buja ikën me pushime. Siç e dëshmon edhe vetë këshilltari i tij politik, z. Ragip Gjoshi, konkursi për pranim në vitin e ri akademik në universitet publike të vendit është shtyrë për shkak të mungesës së Ministrit. MASHT-i dhe vetë kreu i saj, që nga fillimi i mandatit, nuk kanë arritur të kryejnë as përafërsisht detyrimet që kanë”, ka reaguar LDK’ja.
Por, Lidhja Demokratike është marrë edhe me mbylljen e Radio Televizionit të Mitrovicës nga Komuna e Mitrovicës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës me shqetësim të thellë ka marrë lajmin për ndërhyrjen e djeshme të Komunës së Mitrovicës dhe të Policisë së Kosovës në RTV Mitrovica.
Me këtë rast, mësohet se janë thyer dyert e hapësirave në të cilat vepronte RTV Mitrovica, se janë demoluar pajisjet dhe se dhunshëm janë nxjerrë jashtë, së bashku me punonjësit e këtij radio-televizioni”, thuhet në komunikatën e LDK’së.
Për largimin e këtij televizioni nga zyratë që ka pasur, LDK’ja e bën fajtore PDK’në, duke e quajtur veprim të papërgjegjshëm, krejtësisht politik dhe të drejtuar kundër mediave dhe fjalës së lirë.
“Veprimi i tillë, po ashtu, është joligjor, meqë kontesti ndërmjet RTV Mitrovica dhe Komunës së Mitrovicës ende nuk ka marrë një përgjigje nga gjykata. LDK’ja konsideron se Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të ndërhyjë në rastet kur kontestet pronësore ende nuk janë zgjidhur dhe për të cilat gjykata nuk ka marrë vendim”, thuhet më tej në komunikatë.