E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Koalicioni me LSI? S’ mund t’i bëjmë serenatë me kitarë e mandolinë

“Diskutimi i një historie apo një hipoteze të tillë do t’i ngjante rënies me kitarën apo mandoline si dikur në rrugicat e Korçës, për t’i mbushur mendjen një vajze që është fejuar me një tjetër”

Një koalicion i ardhshëm zgjedhor mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim bëhet gjithnjë e më i pamundur. Pavarësisht se askush nga këto dy forca nuk e ka mohuar mundësinë e një koalicioni të mundshëm, çdo ditë e më shumë shtohen zërat kundër tij. I fundit që është shprehur kundër një qasje të tillë ka qenë ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko, i cili duke folur gjatë një interviste për VOA-n, e ka konsideruar të mbyllur këtë histori për sa kohë LSI-ja është pjesë e qeverisjes me PD-në. Sipas tij, PS-së nuk i takon që të varë shpresat për të ardhur në pushtet tek një koalicion i mundshëm me LSI-në, duke lënë të kuptohet në këtë mënyrë se fitorja në zgjedhjet e ardhshme varet vetëm tek ajo që do bëjë kjo forcë me shqiptarët. “Partisë Socialiste nuk i shkon të luajë rolin e atij që ka mbetur në mes të katër rrugëve dhe po pret që një parti tjetër t’i japë dorën për të ardhur në pushtet. LSI është një parti, e cila ka votat e veta, ka elektoratin e vet, ka vendimmarrjet e veta, sot ajo është në pushtet, është në qeverisje. Deklarimet që vijnë, qoftë nga LSI-ja, qoftë nga drejtuesit e PD-së, tregojnë se edhe në zgjedhjet e ardhshme do të jenë së bashku në fushatën e ardhshme elektorale. Kështu që diskutimi i një historie apo një hipoteze të tillë do t’i ngjante rënies me kitarën apo mandolinë si dikur në rrugicat e Korçës, për t’i mbushur mendjen një vajze që është fejuar me një tjetër”, - tha Majko në intervistën e tij. Gjithashtu ai ka komentuar edhe zhvillimet e fundit politike në vend, ku nuk ka dashur ta konsiderojë konsensusin mes socialistëve dhe demokratëve për një sërë çështjesh në parlament si një “dashuri” mes tyre. Sipas tij, konsensusi u bë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, pasi ende partitë politike në Shqipëri kanë mjaft mosbesim mes tyre. “Ekziston një lloj optimizmi, por unë nuk dua që të bëj optimistin sot. Mendoj se në këtë histori në të cilën ne ndodhemi, ka filluar një negociatë, që në thelb nuk vjen nga vullneti i mirëfilltë i palëve. Nuk dua të bëj analistin se jam përfaqësues i një pale, por më tepër kjo i dedikohet presionit të ndërkombëtarëve”, - tha Majko. Ndërkohë ai është ndalur edhe tek debati i shfaqur edhe para disa ditëve mes krahëve politikë në Shqipëri për sa i përket çështjes së festive të nëntorit dhe më konkretisht datës së çlirimit të vendit, duke e quajtur klasën politike shqiptare ‘foshnjarake’. Ai nuk ka nguruar të akuzojë përveç kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli, edhe Presidentin e Republikës, se nuk zbaton ligjin për festën e Çlirimit, që është përcaktuar në datën 29 nëntor. “Kjo është një histori thuajse në nivelin e të pabesueshmes. Por më tepër, sipas meje, kjo më tepër tregon një lloj foshnjërie në mënyrën sesi perceptohen nga ana e politikës shqiptare gjërat që kombet e tjera i kanë zgjidhur prej kohësh. 29 Nëntori nuk është një datë që e festojmë ne socialistët se mendojmë se baballarët tanë e kanë çliruar Shqipërinë pas natës së datës 28. Data 29 nëntor është e shkruar në ligj dhe ajo duhet respektuar dhe nga Presidenti i Republikës, që nuk e respekton, dhe nga Kryeministri dhe kryetarja e Parlamentit”, - tha Majko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›