E Diel, 1 Nëntor 2026

Task-Forca: Problem pafajësitë e zyrtarëve

Njësia hetimore e Tiranës analizon punën: Gjatë 2009–s gjykatat vendosën 23 pafajësi. Nuk kanë pranuar provat

Një nga problemet më të theksuara gjatë analizës vjetore të vitit 2009 të njësisë hetimore kundër krimit ekonomiko-financiar në qytetin e Tiranës, ishin pafajësitë e disa zyrtarëve të vendosura në gjykatë. Për 23 çështje gjykatat e të tria niveleve kanë vendosur pafajësi për dosjet e Task-Forcës, duke ulur ndjeshëm besimin e publikut te kjo njësi e krijuar për të luftuar pikërisht korrupsionin dhe krimin shtetëror. Me gjithë sukseset e njëpasnjëshme, njësia është gjunjëzuar përballë këtij numri të madh të pafajësisë, duke kërkuar analizimin e çdo vendimi nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Gazeta “Shqip” ka siguruar një pjesë të raportit të kësaj strukture, i cili thekson se gjykatat e të tria niveleve kanë rrëzuar provat e akuzës, megjithëse ato kanë qenë dëshmi, përgjime dhe filmime. Sipas tyre, togat e zeza kanë rrëzuar prova të rëndësishme, ndërsa në disa raste kanë cenuar të gjithë dosjen, duke e shfryrë. Megjithatë, në raport nuk detajohen çështje konkrete, por të dhëna statistikore nga e gjithë puna e kësaj njësie.

Pafajësia e zyrtarëve

Në analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës theksi është vënë pikërisht te pafajësia e disa dosjeve penale. Nga 76 pafajësi në total në akuzën e kryeqytetit 23 të tilla ishin dhënë kundër Task-Forcës, një problem madhor për funksionimin e kësaj njësie, e krijuar me asistencën ligjore të ndërkombëtarëve. Duke pranuar disa gabime të vogla, prokurorët dhe hetuesit e kësaj njësie kanë kërkuar një analizë të hollësishme të çdo dosje, pasi në to kanë qenë të gjitha provat. Sipas të dhënave konfidenciale, pafajësitë në njësinë hetimore Task-Forcë ndodhin për të vetmin fakt se zyrtarët që kanë qenë të hetuar ngulmojnë të dalin “të palagur”. Ata ndjekin të gjitha rrugët për të marrë pafajësinë, madje e dërgojnë dosjen në të tria shkallët e gjyqësorit. Nëse fitojnë pafajësinë, ata kanë një fije shprese të rikthehen në vendet e punës. Sipas Prokurorisë së Tiranës, pafajësitë e dosjeve që nuk janë të krimit ekonomik janë në shifra shumë të ulëta, pasi personat e akuzuar dhe gjykuar të kësaj kategorie nuk pretendojnë pafajësi, por duan të lirohen nga burgu. Krejt e kundërta ndodh te dosjet e Task-Forcës, pasi të akuzuarit, në të shumtën e rasteve funksionarë të shtetit, punonjës të administratës publike ngulmojnë te pafajësia. Nga të dhënat e akuzës kryeqytetase mësohet se kategoritë që kanë ngulmuar për pafajësi janë mjekët dhe zyrtarët e lartë të administratës shtetërore, madje edhe disa kryekomunarë të hetuar për korrupsion. 
Verifikimet
Analiza e Prokurorisë së Tiranës është përqendruar te pafajësitë e disa dosjeve në gjykatë. Kryeprokurorja Ina Rama e vuri theksin te ky problem, për të cilin deklaroi se duhet të verifikohen të gjitha çështjet që përfundojnë me pafajësi. Ajo tha se duhet një analizë e hollësishme nga institucionet përkatëse, në këtë rast Prokuroria e Tiranës dhe të dhënat të referohen në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Më pas, raportet mund të diskutohen ose të rekomandohen masa për prokurorët apo gjyqtarët në fjalë. Kryeprokurorja kërkoi më shumë përgjegjësi për dërgimin e një dosjeje në gjykatë. Ajo tha se puna e gjithsecilit nuk do të matet nga numri i dosjeve që dërgohen për gjykim, por nga numri i dosjeve që kanë marrë pafajësi në gjykatë. Nëse një prokuror ka shumë pafajësi, atëherë puna e tij do të analizohet dhe nëse ka përgjegjësi do të merren masa administrative.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›