Partitë e verës dhe partitë e vjeshtës
Një debat i ri po duket përtej, i cili edhe mund të vonojë jo pak përmbylljen e reformës zgjedhore brenda një afati që u lejon strukturave administrative t’i realizojë ato pa ngutje dhe vështirësi.
Bëhet fjalë për datën e zgjedhjeve, të cilat, nëse ndiqet ritmi i përcaktuar nga Kushtetuta, i bie të bëhen sërish në korrik ose fillim gushti, muaj që në Shqipëri janë të nxehtë dhe mjaft të vështirë për të aktivizuar fort mbështetësit politikë.
Ambienti jo shumë elektoral i verës është i njëjtë si për mazhorancën, edhe për opozitën, por kjo nuk e pengon këtë të fundit të hiqet sikur partitë e tyre janë të verës dhe ato të tjerat nuk kanë ndonjë arsye të mos jenë.
Një prej drejtuesve të PS-së, që merret me ligjet dhe reformat ligjore, ka deklaruar si datë zgjedhjesh një nga ditët e fillimit të verës, çfarë do të thotë që Parlamenti të mbyllë mandatin e vet disa javë para afatit, ndërsa një tjetër drejtues nga mazhoranca e llogarit atë datë diku në ditët e para të vjeshtës, që po ashtu, i takon që Parlamenti të mbarojë mandatin pak javë pas afatit ligjor.
Të dyja partitë e mëdha, por edhe ato të vogla, nuk kanë ndonjë interes që të bëjnë zgjedhjet në pikë të vapës. Por ndërkaq, nëse për nga moti ato ndajnë të njëjtin hall, për nga premisat e tjera politike ndryshojnë jo pak.
Socialistët këmbëngulin për zgjedhje të verës për shkak se kështu i heqin mundësi qeverisë së Berishës të përmbyllë ndonjë projekt të rëndësishëm që ka fuqi elektorale dhe që ka qenë parashikuar të mbarojë pikërisht në fund të mandatit qeverisës. Po ashtu, socialistët vënë në siklet qeverinë edhe për shkak të kohës së ngushtë të shpërndarjes apo pajisjes me karta të identitetit të të gjithë qytetarëve në të gjithë vendin përpara zgjedhjeve. Kjo e dyta e bën shumë delikate datën e zgjedhjeve, për shkak se nëse socialistët dhe partitë e tjera të opozitës mendojnë ose gjejnë arsye se kartat e identitetit nuk janë shpërndarë në mënyrë korrekte, do të sabotojnë zgjedhjet dhe mund të mos marrin pjesë. Kjo do të ulte me siguri besueshmërinë e qeverisë dhe do të ishte një favor për socialistët në një datë të shtyrë zgjedhjesh, qoftë edhe në ndonjë ditë vjeshte.
Ndërkaq, mazhoranca ka interes t’i bëjë zgjedhjet në vjeshtë për shkak se do t’i japë mundësinë asaj të mbyllë projekte të rëndësishme rrugësh apo investime të tjera që kanë një ndikim të shpejtë dhe të sigurt te qytetarët. Po ashtu, nëse vitin tjetër mund të kemi një buxhet shtesë, qeveria mund ta fusë në punë një pjesë të tij, çfarë është dukshëm një sukses para zgjedhjeve parlamentare. Por tjetra, dhe më e rëndësishmja ndoshta, është se qeveria deri në shtator ka një kohë të bollshme për të shpërndarë kartat e identitetit dhe për të kryer një regjistrim perfekt të votuesve.
Për t’iu shmangur këtij debati që rrezikon të marrë kohë për shkak se nuk është një debat me substancë, dhe debatet pa substancë në Shqipëri marrin shumë kohë, është e domosdoshme që të ndërhyjnë ndërkombëtarët dhe ndoshta OSBE-ja. Kjo organizatë ka përvojë shumëvjeçare me zgjedhjet në Shqipëri, me aktet ligjore të zgjedhjeve dhe për më shumë, është natyralizuar me sjelljet e politikanëve shqiptarë në debatin që shoqëron gjithmonë vitin elektoral. Kështu që për të do të jetë më e lehtë të identifikojë datën e zgjedhjeve jo thjesht në pajtim me qeverinë apo opozitën, por në pajtim me mundësitë më të mira për të realizuar zgjedhjet më të mira.
Debati për datën duhet të dështojë si debat që në fillimet e tij.