E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Qiriaqi, Aksidentohet me makinë koloneli i “Dimrit të fundit”



Hetimi / Makina me të cilën udhëtonte aktori ka devijuar nga rruga

Ishte nisur për në festivalin e Butrintit, por gjatë udhëtimit, makina me të cilën udhëtonte ka devijuar duke dalë nga rruga. Për pasojë, i dëmtuar ka mbetur aktori Agim Qiriaqi, ndërsa policia tha se po heton për shkaqet e këtij aksidenti

Vetëm fati duket se i ka shpëtuar jetën aktorit të njohur Agim Qiriaqi, kur gjatë udhëtimit të tij për në festivalin e Butrintit, makina me të cilën udhëtonte ka devijuar duke dalë nga rruga. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme në vendin e njohur si Krasa, Tepelenë, kur mjeti tip “Benz” me targa TR 5749 K që drejtohej nga Qiriaqi është përfshirë në nëj aksident automobilistik.

Drejtori i shkollës tek “Lulëkuqet mbi mure” është ndihmuar nga kolegët e tij, Kastriot Çaushi, dekan i Fakultetit të Arteve Pamore, si dhe Petrit Malaj, rektor i Akademisë së Arteve, të cilët udhëtonin në dy automjete të tjera nga pas.

Ndërkohë, të lajmëruar në kohë, punonjësit e policisë së Tepelenës dhe të Ballshit nuk kanë vonuar të shkojnë në vendngjarje. Menjëherë, të aksidentuarve u është dhënë ndihma e parë e shpejtë nga policia, ndërsa mësohet se aktori i një sërë filmash shqiptarë është transportuar me urgjencë për në spitalin e Ballshit, për t’u transportuar pas 30 minutash me një helikopter në drejtim të Spitalit Ushtarak në Tiranë.

Këtu, drejtori Bedri Miha, ka sqaruar për gazetën se aktori ka dëmtuar lehtë shtyllën kurrizore, megjithatë situata është nën kontroll dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas Mihës, Qiriaqi është shtruar në pavijonin e vipave dhe nuk ka asnjë rrezik paralizimi, pasi dëmtimi është i lehtë. Sipas tij, aktorit do t’i mjaftojë vetëm një regjim shtrati për t’u përmirësuar.

Një manovër që me sa duket e gabuar në kthesat gjarpërushe të rrugës që të çon në Butrint, ka rrezikuar seriozisht jetën e tre aktorëve të njohur, Agim Qiriaqit. Makina tip “Benz” që drejtohej nga ky i fundit, ka dalë nga rruga në Krasë të Tepelenës duke dëmtuar fatmirësisht lehtë drejtuesin e mjetit. Ky fakt pohohet edhe nga të dhëna zyrtare të policisë së Gjirokastrës menjëherë pas ngjarjes, kur ekspertët e të cilës në vendngjarje thanë se aktori Agim Qiriaqi kishte pësuar dëmtime të lehta.

Sipas policisë, punonjësit e saj fillimisht u kanë dhënë ndihmën e parë profesionale mjekësore dhe më pas Qiriaqi është transportuar për në spitalin e qytetit të Ballshit. Policia tha se për gati 30 minuta ai ka qenë nën përkujdesjen e personelit mjekësor të spitalit,ndërkohë që më pas është transportuar me një helikopter në drejtim të Tiranës me qëllim marrjen e ndihmës së specializuar. Ndërkohë, policia tha se ekspertët e saj janë duke punuar për të nxjerrë sa më shpejt shkakun e vërtetë të këtij aksidenti.

Agim Qiriaqi mbahet mend për disa nga rolet më të spikatura në filmat shqiptarë, si drejtori i shkollës tek “Lulëkuqet mbi mure”, “Radiostacioni”, koloneli gjerman tek “Dimri i fundit” etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›