E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e vogla: PD e PS t’i përmbahen marrëveshjes

Për këtë arsye, këto parti i bënë apel dy partive të mëdha që t’i përmbahen premtimeve për draftin e propozuar nga 26 parti.

"Ne jemi sot këtu që të tërheqim vëmendjen për deklaratën e 26 partive politike dhe t'u bëjmë thirrje dy partive të mëdha, PD dhe PS, që kanë shumicën në komisionin e reformës, që dokumentin parimor të nënshkruar dhe kërkesat që ne i kemi adresuar atij, t'i marrin sa më shpejt në shqyrtim. Kjo do i bënte mirë krijimit të një klime të përshtatshme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme", theksoi sot kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, një nga iniciatorët e këtij takimi.

Ai i kërkoi dy partive të mëdha që t'i shikojnë me përgjegjësi korrektimin e sistemit kombëtar dhe të mos kryejnë amendime sa për të kaluar radhën.  Ndërsa kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se "ajo që ne kërkojmë është që  vendimi që kemi marrë me 26 partitë të shqyrtohet, dhe dy partitë e mëdha së bashku të realizojnë detyrimin e tyre".

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, konfirmoi se forca politike që ai përfaqëson i qëndron plotësisht marrëveshjes së nënshkruar pak kohë më parë. "Të gjithë duhet t'u qëndrojmë firmave të hedhura, në radhe të parë drejtuesit e PS-së dhe PD-së", tha Meta./Start/

                                                                                             2012-05-09 14:05
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›