E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e vogla kushte atyre të mëdha

Pas përfundimit të takimit, ata kërkuar nga dy partitë e mëdha PD dhe PS, barazi ligjore mes subjekteve politike dhe rregullim të sistemit zgjedhor aktual, që garanton barazinë e votës, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet.

Sipas deklaratës, e publikuar për mediat nga kryetari i PDS-së, Paskal Milo, partitë e pranishme në tryezë shprehin "gatishmërinë për të kontribuar në realizimin e një reforme tërësore dhe të zbatueshme për zgjedhjet".  

Sipas saj, "sistemi aktual i zbatuar formalisht cenon hapur barazinë e votës mes qarqeve, koalicioneve, duke e deformuar atë. Si ilustrim mjafton fakti që 230 mijë vota të partive tona, që në vitin 2009 janë të barazvlefshme me 26.5 mandate, janë përkthyer nga ky sistem në vetëm 7 mandate. Shprehim idenë se sistemi elektoral, i mbiquajtur spanjoll, është lehtësisht i përmirësueshëm për të rifituar natyrën e tij të proporcionalitetit pa deformime dhe pa qënë e domosdoshme ndërhyrja në Kushtetutë", thuhet në deklaratën e përbashkët.

Sipas saj, partitë kërkojnë përmirësimin e sistemit përmes korrektimit kombëtar, pa pragje eliminuese dhe deformuese, që mundëson që çdo parti, brenda koalicionit, të marrë mandatin që i takon sipas votave të fituara, duke ulur numrin e zonave zgjedhore dhe përmirësimin e procesit të administrimit mes strukturave gjithëpërfshirëse.

 "Partitë bien dakord të kërkojnë dhe numërimin elektronik të votave dhe lista të hapura. Partitë do të konsultohen në vazhdimësi për çështje të tjera të sistemit zgjedhor dhe të reformës për të koordinuar veprimet e mëtejshme. Partitë ranë dakord që nga kjo tavolinë të nisë puna për një tryezë tjetër, ajo e ekspertëve për të detajuar mendimet dhe përgjithësuar përvojën, që aty ku mundemi të përfaqësohemi dhe të flasim me një zë të vetëm", theksoi Milo.

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi nevojë e reforme elektorale gjithëpërfshirëse dhe transparente, në mbështetje të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Meta, ndër të tjera u shpreh kundër "listave të mbyllura", që sipas tij dëmtojnë parlamentarizmin, dhe kërkoi për këtë të gjendej një zgjidhje. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo tha se ligji zgjedhor duhet pasuruar me elementë të rinj, të domosdoshëm, që kanë dalë nga praktikat e dy zgjedhjeve të fundit. "Ne jemi sot këtu për të nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka përfundimi i reformës elektorale, duke dëgjuar zërin e të gjitha partive të tjera të përfaqësuara ose jo në komisionin e posaçëm", tha Milo.

Ndërsa kreu i PR-së, Fatmir Mediu, theksoi se kodi aktual deformon vullnetin e zgjedhësve, duke deformuar mandatet në parlament. Pas diskutimeve në tryezë përfaqësuesit e dhjetë partive politike pritet të dalin me një deklaratë të përbashkët, ku do të parashtrojnë kërkesat e tyre për komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, të ngritur nga parlamenti pak ditë më parë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-21 14:45
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›