Partitë e vogla të të gjithë spektrit politik, të gatshme për reformën zgjedhore
Përfaqësues të partive të treta politike po përgatisin draftin e propozimeve, por Reforma Zgjedhore, po mbetet peng i sjelljes së PS, e cila po e saboton konsensusin, njëlloj siç u soll para zgjedhjeve të 8 majit
Partia Demokratike shpreson në një dialog konstruktiv me partinë më të madhe të opozitës, PS, për nisjen nga puna të tryezës së partive politike, me qëllim hartimin e reformës së re zgjedhore. Por, edhe pse kanë kaluar dy muaj nga ftesa zyrtare e selisë blu, opozita mbetet pa përgjigje, qoftë edhe negative. Partia Socialiste ka “shuar” në vazhdimësi zërat e saj mediatikë, duke shkëputur çdo kontakt me opinionin publik, aq sa selia rozë i ngjason një ngrehine të shkretuar.
Letra e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi drejtuar me datën 13 korrik kreut të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi, është ende në fuqi dhe në pritje të reagimit të parë zyrtarë të socialistëve. Situata bëhet më emergjente po të kujtojmë raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, për zgjedhjet vendore të 8 majit, ku theksi i rekomandimeve vihet pikërisht te domosdoshmëria e reformimit të Kodit Zgjedhor.
Kreu i deputetëve demokratë, Patozi, shpreh sigurinë se selia blu mbetet e hapur për një bashkëpunim të shpejtë, sidomos për reformën zgjedhore, jo thjesht se këtë e kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR-it, por, më shumë, sepse suksesi i reformës zgjedhore është i lidhur me shumë procese të tjera jetike për progresin e Shqipërisë, sidomos për sa i përket integrimit të vendit në BE.
Partia Demokratike beson se kjo reformë është më shumë se çdo gjë tjetër në interesin e vetë opozitës, e cila, me apo pa të drejtë, ka pretendimet e veta të mëdha për cilësinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Në këtë rast PD-ja i jep shansin opozitës që të bëhet pjesëmarrëse e tryezës gjithëpërfshirëse, për të ndryshuar rregullat në një shtet të lirë dhe demokratik. Ky është një koncesion i tolerueshëm, i cili i jep të drejtën ekskluzive Partisë Socialiste të bëhet nismëtare e procesit të hartimit të reformës së re zgjedhore. Në këtë sens, mazhoranca dhe forcat e saj politike do mbështesin me forcë kartoni në Kuvend, projekt-propozimet e Partisë Socialiste.
Megjithatë, se sa e hapur dhe bashkëpunuese do të jetë Partia Socialiste mbetet për tu parë në nisje të sesionit të ri parlamentar, kur edhe është paralajmëruar nga kryesocialisti nisja e “kursit të ri” politik, me thyerjen e bojkotit parlamentar dhe pjesëmarrje të rregullt në seancat e Kuvendit.