E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Ramës i ka humbur edhe zëri, edhe figura

29-08-2011 / Gazeta 55

Në muajin e përgjigjeve për reformën zgjedhore dhe marrjen e statusit të kandidatit, Edi Ramës i ka humbur edhe zëri, edhe figura. Ai është shndërruar në një politikan ilegal, pasi s’përballet dot me bashkëpunëtorët e tij, të cilët përgjatë dy viteve i ka mbushur me gënjeshtra të përbindshme dhe ka shuar çdo perspektivë për kthimin e PS në pushtet. Në kushtet kur ai ka frikë edhe të marrë kartë identiteti e të lërë shenjat biometrike, monologu pa zë e figurë mbetet mënyra e vetme për të shtyrë kohën derisa t’i harrohet radha e disfatave politike e elektorale

Javët, pse jo edhe muajt e parë, që e gjejnë Edi Ramën në opozitë “full time”, po demonstrojnë që ai, as rolin e opozitarit nuk di të bëjë. Kur pritshmëria ishte që ai të ishte më “aktiv” dhe të hiqte dorë, të paktën një herë të vetme, të paktën këtë vit, nga “tradita” e pushimeve të stërzgjatura, kreu i PS-së, jo vetëm që nuk e ka bërë një gjë të tillë, por ka kaluar në ekstremin tjetër, dhe ndërsa po tregohet “pasiv” më shumë nga ç’duhet, duket se nuk ia ndjenë aspak, as për të bërë të paktën formalisht, ndopak opozitë.
Në qoftë se Edi Rama, i cili tashmë gjendet në rolin e kryeopozitarit 100 për qind, kupton me të bërit opozitë, të shpërndajë e-maile dhe autointervista nëpër gazeta, ky natyrisht është problemi i tij dhe i opozitës që ai mendon se i shkon nga pas... Por, gjithsesi kjo nuk mjafton dhe për më tepër as nuk ia vlen të konsiderohet si të bërit opozitë..., vetëm në qoftë se këtë gjetje të re, të rikthimit te publicistika, nuk po e shfrytëzon “për të bërë ca pare më shumë”...
Pse a nuk e shfrytëzojnë këtë gjë, analistë e komentatorë të shumtë, që shkruajnë për policët e qarkullimit rrugor, apo edhe për gra që vetë i lënë virtualisht me barrë... dhe prapë se prapë, duke mos thënë asgjë, përfitojnë honorare të majme...?!
Pse, çfarë i kushton Edi Ramës, që të përfitojë edhe ai nga buxheti i honorarëve të mediave që kontrollon...?! Aq më tepër, që tashmë i janë prerë burimet e tjera të përfitimit...
Biles..., biles..., këtë punën e përfitimit të honorarëve, e ka edhe më të lehtë për ta bërë, kur ka “Harry Potter”-in e tij, që ia shkruan e ia bitis e-mailet dhe autointervistat..., megjithëse edhe kjo ka koston e saj, sepse..., sepse..., në fund (edhe) dështimin në publicistikë e paguan ai vetë, Edi Rama, i cili nuk është se ka bënë ndonjë gjë tjetër, apo diçka më shumë, veçse i lë në përdorim, pa shpërblim, adresën e tij të e-mailit, “zemrës” së tij, Endrushkës..., së bashku edhe me të drejtën për të përdorur “siglimin” e kryetarit, për llogari të kryetarit...
Ndërsa kjo sjellje prej “pasivi” e Edi Ramës nuk pritej, të paktën në periudhën e parë të gjendjes së tij në opozitë, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, kreu i PS-së ka zgjedhur që të “mos heqë dorë” nga sjellja e tij, e të paktën dy viteve të fundit.
E thënë ndryshe, Edi Rama, i cili ende nuk po arrin të kuptojë dhe bëjë dallimin, mes të qenurit kryebashkiak dhe tashmë një ish-kryebashkiak, vazhdon në të njëjtën linjë, sikurse të dy viteve të fundit, duke shpërndarë receta me gënjeshtra nga më të përbindshmet, receta të cilat, bashkëpunëtorët e tij, kundër vullnetit të tyre, janë të detyruar ti bëjnë të tyret.
Gënjeshtra më e madhe, është ajo e “politikës së re”, e lajmëruar për të filluar në shtator.
Kjo “politikë e re”, e pompuar si gënjeshtër e radhës, me shumë sforco nga kreu i PS-së, duket, nuk është asgjë më shumë, se sa varianti “i pa censuruar” nga “Harry Potter”-i (i njohur ndryshe edhe si Endrushka, “zemra” e Edi Ramës), i një autointerviste të botuar dje në një të përditshme, sipas të cilës, midis të tjerave Edi Rama shprehej se, “Do shikoj se çfarë do bëjë Qeveria e pastaj do shikoj se çfarë do bëj unë. Ato paguhen për të bërë gjëra unë nuk kam më as rrogën si kryetar Bashkie dhe as deputet nuk jam”.
Duke e marrë me rezerva pretendimin e disa blogjeve dje në internet, se gjasme kishin zbuluar autointervistën e pa censuruar të Edi Ramës (e cila i vishet si e artikuluar nga kryesocialisti), gjithsesi fraza e mësipërme, nuk e fsheh një të vërtetë të madhe.
Kjo e vërtetë, ndërsa më herët i është vënë në dukje nga “zërat kundër” të shtuar në radhët e PS-së, dje konfirmohej edhe nga Edlira Haxhiymeri, sekretare e PS-së për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta, e cila e etiketonte kreun e partisë së saj, midis të tjerave, si një njeri që “nuk ka forcën dhe kurajën për të marrë përgjegjësitë e një lideri”, “të dobët si intelektualisht, ashtu edhe emocionalisht”, apo edhe “që nuk përdor dot forcën e tij të arsyes”.
Përpos, qëndrimeve dhe etiketimeve të drejtuesve të PS-së, bashkëpunëtorë të Edi Ramës, të shfaqur sërish si “zëra kundër” në PS, kreu “de jure” i opozitës, dukshëm nuk e ka fshehur qëndrimin e tipit “Do shikoj se çfarë do bëjë Qeveria e pastaj do shikoj se çfarë do bëj unë”, kur ai jo vetëm që kur ka ardhur në krye të PS-së, nuk ka ndërmarrë asnjë nismë politike, por as nuk ka ofruar asnjë lloj perspektivë për partinë që drejton.
Kjo sjellje e vazhdueshme e tij, natyrshëm nuk e ka penguar të jetojë në ilegalitet e në botë virtuale e të gënjeshtërt..., duke ju gëzuar, po aq në mënyrë të gënjeshtërt, mundësisë për të mos u pajisur me kartë identiteti, për të mos qenë i detyruar kështu, të lërë edhe shenjat biometrike... Paralelisht, kjo sjellje e Edi Ramës, i hap atij “horizonte të reja”, të ndërrojë e shpresojë, se rruga e vetme që do të mund të çojë në harresë këtë politikë dështake dyvjeçare, është monologu pa zë e figurë...

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›