E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, PD dhe PS të përcaktojnë kushtet e bashkëpunimit

29-08-2011 / Gazeta 55

Republikanët apelojnë

Partia Republikane i bën thirrje klasës politike të vend, të fokusohet në nisjen e dialogut politik, për reformën zgjedhore. Nënkryetari i Partisë Republikane Arjan Madhi, u shpreh dje se republikanët insistojnë në thirrjen e tryezës së reformës zgjedhore, pasi ky është edhe një nga rekomandimet kryesore të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR.
“Partia Republikane bën thirrje për mbledhjen e tryezës së partive politike, të një tryeze gjithëpërfshirëse, me qëllim shpalosjen e propozimeve për reformën e re zgjedhore. Ne duhet të shkojmë drejt një reforme zgjedhore dhe kodi zgjedhor, të besueshëm dhe të përhershëm”, u shpreh Madhi.
Republikanët propozojnë që numërimi i votave gjatë zgjedhjeve të 2013-ës të bëhet në mënyrë elektronike, për të shmangur problemet e evidentuara edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR. Lidhur me kërkesën e socialistëve për ndryshimet Kushtetuese, kryesisht të neneve të zgjedhjes së Presidentit, Madhi tha se axhenda e reformave nuk është Kushtetuta, por Kodi Zgjedhor dhe 12 rekomandimet e Brukselit.
“President do të bëhet ai njeri që merr konsensusin e partive politike. Do të bëhet President i vendit, ai njeri që ka besueshmëri politike”, tha republikani Madhi.
Sipas tij, politika duhet të jetë e kujdesshme për akuzat ndaj Presidentit.
“Rama dëshiron të zgjedhë një njeri që ka konsensus të gjerë”, tha më pas nënkryetari i Partisë Republikane, Arjan Madhi.
Tryezën e partive politike, pritet ta thërrasë Partia Demokratike ditët e para të muajit shtator. Në këtë takim formal, të gjitha forcat politike do të paraqesin propozimet konkrete për mënyrën sesi do të ndryshojë Kodi Zgjedhor.
Duke u bazuar në implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, subjektet politike sugjerojnë formula konkrete për të dakordësuar në fund në një të vetme, e cila të mundësonte korrigjimin e Kodit Elektoral. Propozimet nisin që me ndryshimin e sistemit zgjedhor e deri tek korrigjimi i formulës së llogaritjes së vendeve në parlament, apo numërimi i fletëve të votimit të bëhet me skanim në rast se nuk arrihet votimi elektronik deri në 2013-ën.
Për këtë, të vegjlit shprehen për dialog konstruktivë, por të ndarë në qëndrimet e tyre. Gjithsesi, frytet e para të reformës zgjedhore, priten gjatë javës së dytë të shtatorit, kur edhe të jetë konkretizuar tryeza zyrtare e forcave politike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›