E Diel, 1 Nëntor 2026

Partite fantazem nuk marrin as votat e anetareve

Nga 108 parti politike të regjistruara në gjykatat shqiptare, 70 % e tyre nuk mund të marrin as 1% të votave edhe në zonat më të thella rurale.

Ligji i ri për partitë politike specifikon se një forcë politike për t’u regjistruar në gjykatë duhet të ketë me domosdoshmëri 3000 anëtarë, ndërkohë që më shumë se gjysma e partive të regjistruara në gjykatat shqiptare në zgjedhjet e fundit nuk kanë mundur të marrin as 1500 vota në shkallë republike.

Por përpos kësaj, të vegjlit pa peshë në elektorat pretendojnë më shumë lekë nga shteti, dhe deri në pavlefshmëri të zgjedhjeve të 8 majit nga Gjykata Kushtetuese.  Kërkesa e kreut të  Partisë së Pensionistëve, Selami Jeminshehri për pezullim të zgjedhjeve lokale u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, në një mbledhje në të cilën nuk munguan as batutat në momentin që kryetari i Partisë së Pensionistëve kërkoi më shumë para me justifikimin se ndihet i diskriminuar.

“Ka dhe një pikë që është pika tre që thotë: “Edhe ato parti që marrin fonde nëse nuk arrijnë të kenë rezultate të caktuara në Kod, ato duhet t’ia kthejnë fondet shtetit. Ju jeni kundër edhe kësaj pike?”-tha Lulzim Lelçaj, përfaqësues i Kuvendit.

“Ju më pyesni mua që: “Ti je i gjatë 1.70 dhe çfarë do të bëje po të ishe 1.90?  Ky zotëria thotë që unë duhet t’i kthej sërish paratë. Mua më duket diskriminuese. Si do t’ia kërkosh paratë për punën që ka bërë? Ai e ka bërë atë punë, në përputhje me atë që i ke thënë ti, aq sa ka ditur. Ti vetë e ke pranuar me aq mend sa ka ai”-tha Selami Jeminshehri, kreu i Partisë së Pensionistëve.

Politologu Ermal Hasimja shprehet për “AS” se ekzistenca e këtyre partive nuk duhet parë si problem, por si një çështje se çfarë përfaqësojnë këto parti.

“Sot është e pamundur të dallosh portretin e një votuesi të partisë demokratike nga një votues i partisë socialiste, t’i dallosh në përgjithësi, gjë që do të thotë që partitë ndeshen për të njëjtët votues. Ato nuk përfaqësojnë diçka specifike, jo vetëm dy partitë e mëdha por edhe ato të vogla, me ndonjë përjashtim shumë të veçantë si PBDNJ apo ndonjë tjetër, por sot përgjithësisht nuk ka një ofertë të qartë përfaqësuese nga partitë dhe kjo vlen si për partitë e vogla ashtu edhe për ato të mëdhatë. Fakti që ka shumë parti, thjesht është tregues i mungesës së ofertës përfaqësuese që ka në Shqipëri”-thotë Hasimja.

Nga 108 parti politike në zgjedhjet e 8 majit morrën pjesë vetëm 56 prej tyre, nga të cilat fituan më pak se 10 parti.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›