Partitë i besojnë sërish Kolegjit Zgjedhor
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste i besojnë sërish Kolegjit Zgjedhor për të gjykuar si formë përfundimtare vendimet e KQZ-së për ndarjen e mandateve. Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore u mblodh dhe mori vendimin që formula e ankimit dhe shqyrtimit të mos ndryshojë me praktikën aktuale. Kolegji Zgjedhor, që përbëhet nga gjyqtarët e apelit, duket se i ka bindur partitë e mëdha për t’i besuar sërish, ndërkohë që me këtë pikë kanë qenë dakord edhe partitë e tjera të vogla. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të posaçëm Zgjedhor, Fatmir Xhafaj, deklaroi edhe se kjo formulë nuk do të ndryshojë. “U diskutua për çështjen e ankimimeve zgjedhore, për të cilën u vendos që të ruhet niveli i dy shkallëve dhe modeli që ka ekzistuar deri më sot, pra gjykimi në Kolegj Zgjedhor”, - tha Xhafaj, i cili shtoi se “në datën 13 nëntor pritet edhe miratimi tërësor i Kodit Zgjedhor”. “Është lënë një mbledhje e fundit ditën e enjte për të bërë edhe miratimin tërësor të Kodit Elektoral”, - shtoi Xhafaj. Bëhet e ditur se në mbledhjen e ardhshme të komisionit do të miratohen edhe sanksionet ligjore. Burime pranë tij bëjnë të ditur se sanksionet, në rast se nuk respektohet Kodi Zgjedhor, do të jenë tepër të rënda, që nga dënimet penale e deri tek gjobat. Sipas anëtarëve, komisionerët e qendrave të votimit apo të numërimit, në rast se kapen duke tentuar të manipulojnë votat, do të penalizohen tepër rëndë. Ndërkohë, është vendosur në Kodin e ri se pragu ligjor për të hyrë në Kuvend duhet të jetë 3 për qind në qark për çdo parti dhe 5 për qind për koalicionet. Në rast se një parti merr qoftë edhe më pak se 1 votë të mjaftueshme për të kapur 3-përqindëshin, atëherë të gjitha votat e saj shkojnë dëm, e njëjtë edhe për koalicionet. Sipas Kodit, në rast se një parti merr 3 për qind të votave, ajo shënohet në tabelën e ndarjes së mandateve të cilët do të ndahen me formulën D’hond. Me pak fjalë, një parti edhe pse mund të marrë mbi 3 për qind, mund të mos përfaqësohet në Kuvend dhe kjo varet nga qarku se ku është marrë përqindja. Ndërkohë komisioni nuk ka vendosur ende se ç’do të bëhet me kryetarët e partive, pasi fillimisht u propozua që ata të kandidojnë në më shumë se një listë apo qark.