Dështimi i mocionit për Berishën, grupi sulmon Leskajn
Dështimi i mocionit të Partisë Socialiste për Kryeministrin Berisha lidhur me çështjen “Fazlliç” ka sjellë debate edhe pas një jave brenda grupit socialist. Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se deputeti Bashkim Fino dhe Andis Harasani janë shprehur të zhgënjyer nga ecuria e këtij mocioni dhe objekt i sulmit të tyre ishte kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj. Mësohet se deputetët kanë kërkuar të dinë dhe kanë shprehur dyshim se si është e mundur që mbledhja e grupit për mocionin është bërë vetëm 15 minuta para se të fillonte seanca dhe kush i ka caktuar deputetët që do të flisnin. Ata janë shprehur se si është e mundur që nuk u bë një ndarje më e mirë e kohës, për të folur në seancë në momentin që kërkesa për mocion u dorëzua një muaj më parë. Këto pyetje duket se nuk ka tingëlluar mirë ndoshta për kryetaren e grupit, nëse është ajo që përcakton emrat e diskutantëve apo bëhet me dëshirën e dikujt tjetër. Gjithsesi, edhe mediatikisht, PS u vlerësua për një performancë të dobët në këtë mocion, duke mos e bindur dot Kryeministrin që të jepte përgjigje për pyetjet e tyre.