Partitë kërkuan kalim nëpër tunel
Për të dyja rastet e mitingjeve në Tiranë, drejtues të punimeve nuk kanë dhënë leje të kalohet nëpër tunel. Kështu dy-tre autobusë dhe një numër furgonësh me militantë të Partisë Socialiste kanë udhëtuar dje nga Puka dhe nga rruga mbi malin e Thirrës. Ndërmjetësimet kanë qenë intensive për të kaluar në mënyrë të organizuar në tunel, por asnjë ndërmjetësim nuk ka pirë ujë. Vetë prefekti i Kukësit, Elez Maçi, pohoi se kushdo që dëshiron të shkojë në Tiranë për miting të kujtdo qoftë do të kalojë vetëm në mbikalim. “Nuk ka arsye të pengojmë më tej punën e ndërtuesve duke u rënë më qafë”, tha Maçi. Por ai pranoi faktin se kishte pasur presion të vazhdueshëm nga shumë udhëtarë për të ndërmjetësuar për një lejekalimi në tunel në mënyrë të organizuar. Në këto rrethana, ai tha se e kishte parë të udhës të ndërmjetësonte për një ndërhyrje në vetë mbikalimin në malin e Thirrës. “Këtë ua kërkova ndërtuesve dhe këtë gjë e kanë bërë, kanë dërguar te mbikalimi dy mjete të rënda dhe kanë sistemuar disi vendet më problematike sa për të kaluar furgonët”, tha Maçi. Kështu, të dyja kampet e politikës kanë pasur prurjet e tyre edhe nga Kukësi, por asnjë prej tyre nëpërmjet tunelit. Të gjithë ose kanë udhëtuar me autobus nga Puka, ose kanë marrë mbikalimin e tunelit me furgon.
#