E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë maqedonase, fushatë me çështjet shqiptare

Dy partitë më të mëdha politike maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM, kanë nisur një fushatë të ashpër akuzash duke përdorur çështjen shqiptare në Maqedoni.
Lidhja Social Demokrate (LSDM) në opozitë ka nisur fushatën, duke drejtuar akuza kundër partisë VMRO-DPMNE, të mandatarit për formimin e Qeverisë, Nikolla Gruevski, ndaj të cilës ka drejtuar akuza për tradhti kombëtare dhe lëshime ndaj kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni.
 

Kjo parti ka nisur edhe fushatë mediatike me materiale propaganduese, duke e akuzuar mandatarin dhe kryeministrin Gruevski për jo patriot dhe tradhëtar të interesave kombëtare maqedonase. Arsyet për këto akuza janë tre kërkesat e miratuara ditë më parë nga ana e Parlamentit, të cilat kanë të bëjnë me mbylljen e rasteve gjyqësore të kthyera nga Tribunali i Hagës, që ngarkonin dhe akuzonin ish-UÇK-në, për krime lufte në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, ndryshimet dhe zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare shqiptare.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE, ka akuzuar LSDM se kishte përgatitur plan për të pranuar kërkesa maksimaliste të partive shqiptare, në rast se kjo parti do të fitonte në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit. Sipas materialeve propaganduese të publikuara në disa media, VMRO-DPMNE akuzon se LSDM do të pranonte përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në mbarë territorin e Maqedonisë, përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare në tërë territorin e vendit, dhënien e postit të kryetarit të Parlamentit për partitë shqiptare, dhënien e kryeministrit për partitë shqiptare, drejtoritë policore për partitë shqiptare si dhe koncesione të tjera.
Partitë shqiptare kanë dënuar këtë fushatë duke e quajtur të panevojshme dhe irituese për shqiptarët në Maqedoni. Partitë shqiptare kërkuan që të ndërpriten këto lloj akuzash që kanë të bëjnë me çështjet shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›