E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita në Tropojë, Berisha sulmon Ramën

Kryeministri Sali Berisha nuk hezitoi dje të komentojë vizitën e dytë brenda një viti të kreut të socialistëve, Edi Rama, në qytetin e Tropojës. Megjithëse nuk pranoi të përgjigjet se kur do të zhvillojë një vizitë në vendin e tij të lindjes, Kryeministri u shpreh se "kur Rama shkoi në Tropojë, prisja që ai të kërkonte të falur dhe ndjesë për ata persona që janë vrarë gjatë viteve që ai ka qenë ministër". Në vlerësimin e Berishës, Rama duhet të shkonte në Tropojë pasi të kishte marrë më parë njohuri për atë vend. "Por ai vetë ka një mijë arsye që të mos shkonte atje, sepse mes varreve të hapura nga regjimi që shkoi, ai qytet kishte përjetuar edhe bombardime të mëdha", shtoi Berisha. I pyetur për çështjen e pronave, Berisha tha se "qeveria nuk ka pranuar se ka dështuar me politikat e pronave. Kryeministri Berisha ka mohuar me këmbëngulje që kabineti i tij të ketë qëndruar në heshtje për zgjidhjen e çështjes delikate të pronave". Sipas tij, në rast se ka mbetur një përqindje e problemeve të pronësisë pa zgjidhur, nuk duhet harruar se plot 120 mijë familje shqiptare u kthyen në pronarë me procesin e legalizimeve dhe vetëm në një vit janë privatizuar 101 mijë sipërmarrje të mesme me objekte shtetërore. Berisha në fjalën e tij shtoi se ata "që ndërtuan skemat piramidale, ata ndërtuan fabrikat e falsifikimit në Shqipëri. Kjo qeveri ka një vullnet të hekurt për t‘i dhënë zgjidhje këtij problemi. Mandati i dytë do të jetë mandati i zgjidhjes së problemit të pronësisë". Shefi i qeverisë nuk e ka humbur mundësinë të komentojë as tentativat e dy forcave të opozitës për bashkim. "PS-ja dhe LSI-ja janë gjysma simetrike e mollës së kalbur, që të dyja të bindura në fundin e tyre të sigurt lëshojnë thirrje për koalicione. Le të bashkohen, ç‘punë kam unë me ta, është një koalicion i humbur. Qëndrimi im ndaj tyre është i qartë", nënvizoi Berisha. Më tutje, ai ftoi qytetarët të marrin dokumentet e identifikimit. Në konferencën prej 60 minutash, Kryeministri veçoi çështjen e diktaturës së para viteve ‘90, luftën e egër të klasave dhe bllokimin e pronës. Kryeministri është kthyer në retrospektivë 17 vjet më përpara. "Më 22 mars të 1992, shqiptarët vendosën për veten dhe për demokracinë. Të gjithë ata që me votën e vitit 1992 bën të mundur që së bashku më në fund pas shekujsh vuajtjeje, sakrificash nga diktatura të nisin udhëtimin e lirisë", tha ai. Kryeministri Berisha kërkoi mirënjohje të thellë për diasporën shqiptare, duke thënë se "ky është një rast që së bashku me ju t‘i shprehim mirënjohjen qeverisë së SHBA-së, ish-presidentit Xhorxh Bush". Ne festojmë 17-vjetorin e 22 marsit, shtoi ai, dhe firmosim 12 ditë më pas hyrjen në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit të kandidatit. "Fitorja e 22 marsit ishte historike, se ne me votën tonë nuk lejuam që diktatori Ramiz Alia të zëvendësonte pluralizmin politik me atë të sabotimit. Ky skenar u përmbys njëherë e përgjithmonë", u shpreh Berisha. Opozita e atëhershme, këmbënguli Kryeministri, solli në pushtet Çaushët e krimit dhe dogji institucionet shqiptare. Ata që paraqesin si tokë të djegur Shqipërinë dhe anëtarësimin në NATO në mënyrë tinëzare, vijoi ai, kërkojnë të mbrojnë diktaturën e dhimbshme dhe për këtë i deklaroi si don kishotë të historisë. Gjatë konferencës, Kryeministri vlerësoi se "ne nuk jemi të përsosur, bëjmë dhe kemi bërë gabime, por jemi krenarë me programin tonë të qendrës së djathtë, se me këtë program Shqipërinë e kolapsit të plotë ekonomik e shndërruam në rritjen dyshifrore".

Kodheli:

Berisha, shëmbëlltyrë

e politikës së vjetër

Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, reagoi dje në mbrëmje, pas deklaratave të Kryeministrit Berisha. Kodheli vlerësoi se shefi i qeverisë është shëmbëlltyrë e politikës së vjetër dhe udhëheqës i koalicionit të Gërdecit. Sa i përket deklaratës së Kryeministrit për arritjen e së djathtës në 18 vitet e fundit, Kodheli u shpreh se historia flet qartë se është e nevojshme ndarja përfundimtare me Berishën, shans që sipas Kodhelit është vota në 28 qershor. "Historia flet qartë për ndarjen me fenomenin Berisha, por edhe për detyrimin moral për t‘i dhënë fund politikës së shkuar më 28 qershor dhe koalicionit të Gërdecit", vlerësoi Kodheli. Sipas saj, për qytetarët do të ketë një zgjidhje mes të shkuarës e së ardhmes, mes koalicionit të Gërdecit dhe koalicionit me qytetarët. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të arritjeve të së djathtës në qeverisje, ndërsa në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme, ai tha se e majta ka frikë nga humbja. Pretendime që hasën në kundërshtimin e menjëhershëm të selisë rozë përmes Mimi Kodhelit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›