E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë paralajmërojnë ndryshimin e çmimeve

05/04/2005  Opozitarët e cilësojnë të ulët e çmimin e vendosur në Metodikën e Komitetit Shtetëror

Socialisti Zydi Pepa paralajmëron se fatura do të jetë tepër e lartë

Deputetët e Komisionit të Bujqësisë kanë paralajmëruar dje se Metodika e paraqitur nga Komiteti i Pronave për çmimet e tokës, do të ketë ndryshime. Kjo sepse deputetë të partive të ndryshme kanë shprehur pakënaqësinë për formulat e vendosjes së çmimeve për tokat në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve. Sipas Zydi Pepës, çmimet e parashikuara nga Komiteti mund të jenë tepër të larta. Ndërsa, sipas Bamir Topit, formulat nuk parashikojnë çmimet e tregut. Por, në të kundërt me këto deklarata, anëtarët e Komitetit të Pronave, si ata të opozitës ashtu dhe të mazhorancës, kanë theksuar se Metodika parashikon në mënyrën më të drejtë çmimet për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Opozita

Sipas Bamir Topit, në Metodikë nuk janë shprehur çmimet reale. Një deklaratë e tillë ka sjellë tensionimin e debateve në Komisionin parlamentar të Bujqësisë. Topi ka shprehur mendimin që në vendosjen e çmimeve të merret parasysh tregu i shitblerjeve të tokave në vend. Në fakt, një veprim i tillë është realizuar në formulën për vendosjen e çmimeve në tokën truall. Sipas "Metodikës", në përcaktimin e çmimeve për trojet, merren parasysh të dhënat e çmimeve të agjencive private të shitblerjeve. Ndërsa formula e përcaktimit të çmimeve të tokës bujqësore është marrë parasysh fitimi që sjell një njësi nga mbjellja e kulturave.

Mazhoranca

Nga ana e tij, Zydi Pepa ka shprehur mendimin se çmimet e parashikuara në Metodikën e pronave janë shumë të larta. Ndaj, ai ka pranuar mundësinë e ndryshimit të formulave, që janë paraqitur në Metodikë. Faktikisht, në diskutimet e zhvilluara një vit më parë, Pepa ka kërkuar që çmimi i tokës bujqësore të jetë ai i vitit të shpronësimit, duke i shtuar dhe indeksin e rritjes së çmimeve. Gjithsesi, këto përplasje kanë sjellë dhe një herë nevojën për të shtyrë.

Relatori

Sipas Maksim Begesë, në Metodikë shembujt e dhënë janë bërë vetëm për të përcaktuar kriterin, mbi të cilin Komiteti i Pronave është mbështetur për të bërë vlerësimin e tokës. "Metodika vetëm jep rrugën e vlerësimit të tokës bujqësore, trullit, zonës turistike, apo tokës suburbane dhe subturistike. Për të përcaktuar vlerën reale të një toke bujqësore, konkretisht është marrë prodhimi që jep një tokë bujqësore, duke i zbritur shpenzimet që bëhen për të. Pra, jep në fund të fundit, vlerën e kësaj toke bujqësore. Kjo Metodikë nuk merr parasysh nëse kjo tokë bujqësore, do të përdoret për ndërtim apo për prodhim bujqësor. Në Metodikë është përcaktuar vetëm rasti nëse një tokë bujqësore përdoret vetëm si e tillë për të prodhurar. Dhe nuk duhet konfonduar me momentin tjetër që, unë e blej për tokë bujqësore dhe pastaj e kthej në truall për të ndërtuar në të".

Komiteti

Të pestë anëtarët e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave, kanë mbrojtur argumentin se Metodika, përcakton mënyrën më të drejtë për vendosjen e çmimeve në Shqipëri. Madje, ata janë shprehur se këto vlera janë nga më të lartat në Evropë.

Votimi do të shtyhet për në muajin maj

Kërkohet rishikimi prej OSBE

Gjatë diskutimit në Komisionin parlamentar të Bujqësisë është hedhur ideja që ekspertët e OSBE-së të shprehen mbi formulat e paraqitura prej Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Një kërkesë e tillë vetëm sa do të vononte dhe disa javë procesin e miratimit të metodikës, pasi OSBE ka qenë e pranishme me ekspertët e saj në të gjitha mbledhjen e Komitetit Shtetëror. Madje, është bërë e ditur se para dorëzimit të projektit në parlament, ekspertët e OSBE-së e kanë marrë në shqyrtim si dhe kanë paraqitur pëlqimin e tyre. Por duket se pas debateve në mbledhjen e dytë të Komisionit të Bujqësisë, deputetët e kanë më të shpejtë një rishikim të draftit prej OSBE-së.

Vonesat

Ndonëse tri javë më parë, konferenca e kryetarëve kishte parashikuar që më 31 mars deputetët të votonin metodikën e pronave, kjo nuk do të arrihet as gjatë muajit prill. Kjo për vetë faktin se komisionet parlamentare ende nuk kanë përfunduar diskutimin e metodikës. Burimet kanë bërë të ditur se në mbledhjen e ditës së premte të kryetarëve të grupeve parlamentare është vendosur që më 24 prill projekti të kalojë për votim. Por duke parë kërkesat e deputetëve si dhe deklaratat për ndryshime të formulave, pritet që metodika të shtyhet për në muajin maj. Zhvillime të tilla kanë sjellë reagimin e ish- pronarëve, që theksojnë se e gjithë zhurma është për të përfituar sa më shumë vota, pasi vendi është në prag të zgjedhjeve.

Por dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi një ankesë të shoqatës "Pronësi me Drejtësi", do të jetë një tjetër pikë që do të sjellë shtyrjen e projektligjit. Nëse kjo gjykatë do të shpallë antikushtetues ligjin e miratuar në Kuvend më 29 korrik të vitit 2004, atëherë dhe Metodika do të cilësohet e pavlefshme, pasi nuk mund të hyjë asnjëherë në fuqi, apo në zbatim konkret.

13 vjet debate për pronat Çështja e së drejtës së pronës në Shqipëri ka nisur që në vitin 1991, kur qeveria e parë demokratike nuk ka pranuar që të kthejë tokën tek i zoti, por ka miratuar disa ligje që e kalonin pronën në pasuri të të tretëve. Pas kësaj, janë krijuar një sërë shoqatash të ish-pronarëve që kanë kërkuar të drejtën e tyre, duke u bazuar në konventat ndërkombëtare. Ka qenë Kushtetuta e vitit 1998, që ka sanksionuar detyrimin e qeverisë për të miratuar një ligj, i cili do të sillte zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronave në Shqipëri. Ndërsa vetëm në vitin 2002, në parlament janë paraqitur dy projektligje për kthimin dhe kompensimin e pronave. PR dhe Qeveria ka paraqitur dy projektligje që në thelb ishin tërësisht kundërshtarë. Gjithsesi, në muajin mars të vitit 2004, është arritur që të dy draftet të bashkohen në një dhe të miratohen si të tillë në muajin korrik të vitit 2004. Për të vënë në zbatim këtë ligj është kërkuar paraqitja e çmimeve, me të cilat do të kompensohen ish-pronarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›