E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri muaj pa sinjal telefoni, por taksën e mirëmbajtjes e paguajnë

05/04/2005  Drejtuesit e Albtelekomit, indiferentë

DURRËS - Që prej tre muajve pajtimtarët e Albtelekomit në lagjen nr.13 të Plazhit paguajnë detyrimin e mirëmbajtjes së rrjetit telefonik, edhe pse nuk kanë sinjal telefonik. Janë më shumë se gjysma e abonentëve që kanë mbushur librin e ankesave në postën e Plazhit, si dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre në Drejtorinë e Albtelekomit në Durrës, duke bërë të qartë se prej muajve nuk kanë shërbim telefonik.

Problemi i ndërprerjes së sinjalit është vërejtur sapo firmat sipërmarrëse nisën nga puna për zbatimin e projektit për rikonstruksionin e rrugës së Plazhit në një gjatësi 4.2 km dhe me një fond 949 milionë lekë.

Gërmimet gjatë punimeve kanë këputur pjesë-pjesë kabllin telefonik, duke lënë pa sinjal telefonik qindra familje, institucione dhe biznese private. Ndonëse inxhinierë dhe mirëmbajtës të rrjetit kanë ndjekur nga afër defektet e vërejtura, ata e kanë pasur të pamundur t’u përgjigjen ankesave të qytetarëve.

Në Plazh janë 1200 abonentë, që kanë kontratë me telekomin dhe në kontratë është e cilësuar edhe tarifa që ata do të duhet të paguajnë çdo muaj për mirëmbajtjen e rrjetit. Por, që prej tre muajve, familjarët e paguajnë “shërbimin”, edhe pse nuk kanë sinjal.

Punonjësja e postës së Plazhit, Donika Rakipaj, thotë se ankesat e para kanë mbërritur në dyert e këtij institucioni që para tre muajve. Ajo shton se pajtimtarët, pavarësisht nëse kanë apo jo shërbim telefonik, e kanë paguar taksën e mirëmbajtjes së rrjetit. Megjithëse punonjëses i është dukur e papranueshmë, ajo pohon se frika e heqjes së numrit telefonik fiks, në rast mospagese, i ka shtyrë qytetarët të paguajnë faturën.

Ankesa te drejtoria duket se nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv, ndërsa abonentëve u është thënë se përgjegjësia nuk është e Albtelekomit, por e frimave që po kryejnë rikonstruksionin e rrugës.

Sipas inxhinierëve të Albtelekomit, çështja do të mbetet e pazgjidhur derisa firma të përfundojë investimin, investim i cili parashikohet të mbyllet në fund të muajit qershor.

I njëjtë ka qenë problemi në këtë lagje edhe për sa i përket ndërprerjes herë pas here të energjisë elektrike, si pasojë e dëmtimit të rrjetit, por që edhe në këtë rast firmat kanë dalë nga përgjegjësia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›