E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epopeja "homerike" e një rruge

"Drita... në fundin e tunelit". E dëgjon këtë shprehje të figurshme (simbolike), sa të kahershme, aq dhe të gjithmotshme, krijuar prej mendjeve më të përndritura shqiptare dhe të mbarë rruzullit dhe bie në mendime një çast. Popujt, dritën e kishin ëndërr, ideal, mision, gjenerim, perspektivë, ndaj nuk i lëshuan ndonjëherë pishtarët nga dora. Mund të gjenden dhjetëra shembuj nga literatura vendase dhe e huaj që dëshmojnë këtë "iluminim" të njerëzimit. Sapo të shfaqet drita, atje në fundin e tunelit, terri mori fund!... Shqiptarët së afërmi do të jenë dëshmitarë të një shpërthimi të paparë deri më sot në vendin e tyre, shpërthimit më të fundit, që do të sjellë "dritë" në fundin e Tunelit! Dhe kjo do të ndodhë këtë fundmaji 2009. Historia do të mbajë shënim, siç ajo bën përherë me gjërat e mëdha, të përveçme. Njeriu, pas kësaj, do të mund të shohë tej-për-tej… nga Thirra në Kalimash (që i ndante vetëm një mal), nga Mirdita në Kukës (që i ndanin dy-tri male), do të shohë përmes asaj "drite" nga Shqipëria në Kosovë (që i ndanin nëntë male)… Ndaj këtë Tunel, konstruktorët, shkollarët, medialët e të tjerë do ta shënojnë me shkronjë të madhe. Sapo të përmendet, do të merret vesh se është fjala për atë dhe jo për ndonjë tjetër në hapësirën shqiptare. Për të krijuar dy galeritë e tij janë shkulur "eshtrat" e nëntokës, duke u gërmuar mbi 1 milion metra kub shkëmb. Puna ka ecur vaj kur formacionet nëntokësore kanë qenë të forta dhe ka "ngecur" nga pak kur ato kanë qenë të buta, pasi ishte gjithnjë rreziku i shembjeve. Ka dhe një nyje që i lidh diku në mesin e tyre si unazë dy "tubat", siç quhen tuneli i vajtjes dhe i ardhjes. Tuneli do të ketë një nënstacion elektrik të vetin… Mund të renditen dhe plot të dhëna të tjera, por është e mjaftë të thuhet se për gjithçka të tijën, për treguesit tekniko-inxhinierikë të veçantë, fortifikimin e gjithanshëm që i ka dhënë siguri e bukuri, edhe për shumë vite, do të jetë ai "Tuneli"!… Atje brenda syri të kap dhe ca "breza" që e qarkojnë si shirita ylberi. Nuk bëhet fjalë për atë ylberin fluror që shfaqet herë pas here me shirat e pranverës a vjeshtës mbi luginën e Fanit të Vogël, harkuar mbi dy maja male të përhime, Zepën e Munellën, por për një "ylber" tjetër (si me thënë, tunelor) në 5.6 kilometra udhë të nëndheshme. Shqipëria ruan gjurmët e fortifikimeve të kështjellave e kalave, apo objektesh të tjera historike, që dëshmojnë një stil e traditë të vyer ndërtimtarie, por tash është rasti i ngjizjes në këtë truall i një vepre model i arkitekturës bashkëkohore, që është kjo Autostradë moderne dhe Tunelit i saj me shkronjë të madhe… Ky korpus ndërtimor i pashembullt, që shtron dhe skalit Udhën Shqiptare nga Adriatiku në Gur të Shpue, ka përmasën e vet "homerike", që të bëhet se e zhyt këtë gjeografi të pazakontë peizazhesh malore në lashtësitë mitike, si dhe përmasën e bashkëkohësisë që e larton këtë rajon gjer në "kreshtat" e integrimit evropian.

Tuneli Thirrë-Kalimash, ky "Semering" shqiptar

Nuk mund të shkosh te Tuneli e të flasësh për të sotmen pa prekur gjurmët e së djeshmes. Vetëm 3 kilometra nga Autostrada e re, në Fan, gjendet një nga monumentet arkitekturore hidroteknike unikale në Shqipëri dhe nga të rrallët në Ballkan, ujësjellësi i Domgjonit, rrëzë Munellës. Një "Gurrë" e lashtë që daton që nga shekulli IV i erës sonë, e mbështjellë nga gojëdhënat, misteri dhe lëmyshqet e mijëvjeçarëve. E sjellim në vëmendje të lexuesit dhe për rëndësinë e tij si një pus-tunel që ka "guxuar" para afro 17 shekujsh të hyjë, në rrugë inxhinierike, në zemër të malit "olimpik" të këtyre anëve, por sidomos për t‘ia rrëfyer udhëtarit të ri të kësaj rruge. Se Autostrada Durrës-Kukës zbulon dhe aq monumente të harruara, të fshehura, të braktisura, bashkë me kullat e maleve, në "dimrin e vetmisë së madhe" të tranzicionit 19-vjeçar, që i bëri këto vende të Shqipërisë së Epërme të vetmonin "sa për treqind vjet"!... sikurse do të këndohej në ato baladat e Eposit! Për shkak të asaj ringjalljes së përgjithshme që sjell rruga në këto zona të thella, ka dalë dhe shprehja se në këto malet tona, koha dhe zhvillimi asht mat nga mot me "përpara dhe mbas lindjes së Krishtit", por tash mundet që duhet me shtue dhe: "para dhe pas Rrugës"… Vepra të tilla, që përbëjnë ngjarje kombëtare, thonë pa shumë fjalë se Shqipëria është duke e lënë mbrapa tranzicionin e saj mbytës, se standardet për të hyrë në Evropë janë jo retorikat, por rrugët kësodore, tunelet dhe urat moderne, një infrastrukturë rrugore si në vendet e tjera, që jo më kot duam ta kemi "pasaportën" si ato.

Nga ana tjetër, nuk mund të vesh atje e të mos kujtohesh për Karl Gegën, konstruktorin gjenial të hekurudhës malore të Semeringut. Ai ishte shqiptar. (Ani se këtë Tunelin tonë të Thirrë/Kalimashit po e ndërtojnë konstruktorë të kombësive të tjera!). Kaq shumë ka përparuar teknologjia e hapjes së tuneleve nga mesi i shekullit XIX e këndej, qysh kur ai, miti dhe "heroi" i tuneleve evropiane, dha modelin se si mund të guxohet të hyhet në thellësi të nëntokës alpine: me trena, makina, udhëtarë… Pas Semeringut të tij do të hapej tuneli Mont-Cenis, që lidhte Francën me Italinë, 12.8 kilometra i gjatë, i cili nuk do të mund të çohej deri në fund nëse nuk do të shpikej asokohe (viti 1864) dinamiti nga Alfred Nobel. Gjatësia e tuneleve që ndërtoheshin në Evropë do të vinte përherë në rritje. Kështu, tuneli i Gotardit, që lidhte Italinë me Zvicrën (ndërtuar në dhjetë vjet) do të ishte 15 kilometra, për t‘u pasuar nga tuneli Simplon 20 kilometra, i cili për shumë kohë do të mbahej si tuneli më i gjatë në botë, na bëjnë me dije specialistët e tuneleve malore… Është më në fund Tuneli i Autostradës Durrës-Kukës që e përfshin dhe vendin tonë në këtë hartën "tunelore" të Evropës.

Hyrja në rrezen e Autostradës dhe të Tunelit, kalimi nëpër vendet mineral-nxjerrëse të Pirustëve dhe minierave mesjetare të Bulgrit e Fandit, është njëherësh një ftesë për "të përshkuar" dhe ato galeritë e vona të minierave të Mirditës e Kukësit, si peng nderimi për njerëzit e shekullit XX, të cilët dolën nga kullat e hynë në puse e galeri për të nxjerrë mineralin e bakrit e kromit, po ku shpesh lanë atje thellë, lapidarë! Lanë ndër zgafelle mushkëritë e sëmura, që ua griu pluhuri i mineralit, silikoza, dhe përsipër mbartën, gjithsesi, varfëri migjeniane. Do të ishte i padenjë qytetërimi i ri, që vjen dhe përmes "dritës" së këtij Tuneli, nëse nuk kemi të paktën mirënjohje, por dhe përkujdesjen e shtetit e të shoqërisë për ata pak "heronj të heshtur" të minierave që ende i kemi gjallë! Ata, udhëtarët e nesërm të kësaj Udhës së Madhe, do të shohin gjithashtu se në Reps shmanget një rrugë që dikur çonte te një minierë "ndryshe", një minierë-burg, apo burg-minierë, siç ishte Spaçi, e do kthejnë kokën anash të shohin shenjat e asaj kohe të trishtë në ndonjë memorial ndanë rrugës, në ndonjë libër a film…

Pritet, me ditë e me orë, "lajmi i mirë"…

Pritet, me ditë e me orë, "lajmi i mirë", sinjali i asaj dritës në fundin e tunelit, ndërkohë që vëmendja ndaj Udhës së Madhe (170 km e gjatë, me katër korsi) është shtuar sidomos në këtë stinë elektorale. Dikush përgatit shiritin e përurimit, pasi qershori është në prag, dikush tjetër gjendet në këto gryka thjesht për të kundruar madhështinë e veprës, ngaqë diku ka lexuar se ajo do të jetë një nga autostradat më panoramike të Evropës. Nxënësit e shkollave i kanë vënë në rreth vizitat e fundvitit shkollor te Tuneli. Gjendesh midis këtyre ndërtuesve për të njëqindën herë dhe prapë nuk e kupton se si mund të funksionojë, si një i tërë, një kantier që nis në Milot e përfundon në Morinë, në mbi 100 kilometra rrugë. Një kantier unik, marramendës, si askund tjetër në rajonin ballkanik. Vetëm në 60 kilometrat Rrëshen-Kalimash të duhet të kalosh nëpër parkun përrallor të 1200 makinerive të rënda, ardhur këtu në "qese", me kilometrazh zero, dhe të shihesh në sy me 3800 punëtorë. Është e para vepër që ndërtohet nga vendas dhe të huaj, ku këta të fundit nuk janë vetëm drejtues e specialistë, por dhe shoferë, manovratorë makinerish të rënda etj. Ndërtuese e Autostradës, siç dihet tashmë nga të gjithë, është një kompani e huaj, e mirënjohur, "Bechtel-Enka", për të cilën thuhet se nuk harxhon asnjë qindarkë atje në Amerikë ku e ka selinë për të bërë lobim për veten. Mund të mahnitesh nga shumëçka që sheh këtu, por me vete merr sidomos lajmin domethënës për të cilin ky vend ka aq shumë nevojë, si për ajrin, që nuk ka pasur asnjë të rënë të Rrugës, asnjë "dëshmor" të saj! Dhe kjo, sa ç‘është gjëja më normale në një botë moderne, po aq është një mrekulli këtu ndër ne, kur mendon se vetëm në dy vjet (aq sa është në këmbë ky kantier i rrugës) në minierën e Bulqizës ka pasur 17 të vdekur! Është dhe ky një ndër standardet e kësaj vepre madhore, e cila, në tërësinë e saj, përbën një "bashkësi" standardesh, që kanë të bëjnë me natyrën e projektit, shpejtësinë dhe cilësinë e punimeve, logjistikën e përdorur, teknologjinë ndërtuese, kushtet e punës, trajtimin e punëtorëve etj.

Rruga, nga më panoramiket e Evropës

Nuk është për t‘u habitur që lugina e Fanit, njëqind vjet më parë, qe quajtur nga të huajt si një nga më të bukurat në botë, kredhur në atë virgjërinë e saj të pastër si burimet e krojet e këtyre grykave, dhe sot, rruga që shkon mes përmes saj, gjithashtu cilësohet si një perlë e pakundshoqe, me ndryshimin, se kjo e fundit është e bërë nga dora e njeriut. Një nga rrugët më të bukurat të Evropës - për syrin e udhëtarit, turistit, ekologjistit, befasinë e së cilës e ndjen vetëm kur je vizitor i saj. Rruga do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, Maqedoninë, Serbinë Jugore, duke u lidhur me rrjetin trans-evropian të rrugëve. Rruga nga Adriatiku në Danub, siç është shprehur një studiues i njohur shkodran, nëpër të cilën do të lëvizet me 80-100 km në orë.

Luhet akti i fundit, pritet çasti solemn, ai shpërthimi, që drita që do të "mugullojë" befas, anë-për-anë Tunelit, të na lajmërojë se ja, drama mbaroi. Ishte një shfaqje jo e zakonshme. Sigurisht që të gjithë personazhet ishin "pozitivë" në këtë histori, ani se dikush mbante lart flamurin e dikush tjetër herë pas here thërriste për më shumë kujdes me shpenzimet… Mund të veçosh plot detaje për t‘i shënuar në një ese "inauguruese" si kjo, por si t‘ia bësh që të përshkruash vetëm njërin sosh, një si "dehje" që u ka ndodhur të gjithëve që kanë shkelur këtu. Kush nuk erdhi, dhe nuk u mrekullua! Përtej kundrojës patriotike, që asnjëherë nuk është e tepërt në sipërmarrje të tilla të papërsëritshme, ata që erdhën, si qenë ministra, deputetë, funksionarë të tjerë të Tiranës apo Prishtinës, si qenë njerëz të thjeshtë, panë jo vetëm një luginë të thellë e të përthyer që shndërrohej dita-ditës në "autostradë" (e kështu s‘iu mbetej tjetër veç të rroknin përnjëherësh lahutën a çiftelinë dhe të këndonin "kangë kreshnike" për çka po ndodhte), siç panë, përtej poetikës publicistike, një standard ndërtimor që ky vend nuk e kishte provuar më parë në asnjë rrugë a vepër tjetër. Ky ishte shkaku që ata iknin si të dehur nga rruga, të mbushur me të, dhe këtë ua rrëfenin papushim miqve dhe shokëve… Po njerëzit nuk mund të mos habiteshin që pikërisht kjo, rruga monumentale, thënë ndryshe "rruga e shekullit", thuajse që në nisje kishte mbi kurriz dhe një "proces" të vetin, që e shtegtonte dosjen e saj nga njëra gjykatë në tjetrën, dhe pse pa mundur ta fajësonte e "bënte gjyq" atë!…

Pavarësisht asaj që luhet e thuhet me rrugën në Tiranë nga politika, këndej pamja e saj është si në pragun e festës. Janë 29 ura, secila "vepër arti" më e hijshme e pozante se tjetra, që ndërlidhin brigjet e Fanit, ku më e larta është një urë 80 metra në anën e sipërme të Tunelit, kah Kalimashi. Kurse matanë Gëziqit, nën Majën e Malthit, rrëshqasin trarët e fundit mbi dy nga urat e sapo mbaruara. Një mori trarësh betoni, 660 copë (secili qindratonësh, 38 metra i gjatë) janë prodhuar mbi trase e pastaj janë mbartur mbi vinçat - "elefantë" deri sa një tjetër makineri "gjigande" i ka rrëshqitur ato një nga një mbi strukturat e ngrehinat e urave, në terrene karmash e humnerash, ku me gjithë mend nuk kalonin as dhitë e egra. Për të siguruar hyrjet dhe daljet e nevojshme janë ndërtuar dhe 12 mbikalime e nënkalime në Ndërfushaz, Ndërfanë, Reps etj. Asfaltohet një kilometër rrugë në ditë, me një rregullsi "absolute", solemne, epike; asfalti prodhohet nga dy nyje të posaçme, njëra në Klos dhe tjetra në Kalimash. Asfaltimi këtu është një zeje më vete, krejt ndryshe nga përfytyrimi i mëparshëm yni në raste të tilla, i një a dy makinave që hedhin zift në mesditë, ndonjëherë dhe në ditë shiu, i pak punëtorëve që e shpërndajnë atë ziftin me lopatë dhe i ndonjë ruli që e shtyp duke e shkelur përsipër… Është diçka krejt tjetër, lexuesi le ta dijë se në gjithë këtë vepër nuk ka asnjë lopatë apo kazmë në përdorim! Janë hedhur shtresat e zhavorrit, stabilizanti, shtresa e parë e asfaltit 15 cm që pasohet nga dy shtresa të tjera… Por nuk është raportimi i hollësishëm qëllimi ynë në këtë shkrim. Ndërtuesit e Autostradës janë të vetëdijshëm për rëndësinë e asaj që po bëjnë, ndaj i dëgjon të thonë jo pa mburrje se ky është sot për sot projekti më i madh në Ballkan dhe si i tillë meriton nderet e rangut që ka.

"Ngjarje e madhe, sa pavarësia e Kosovës…"

Këto ditë, analisti nga Kosova, Shkëlzen Maliqi, në një shkrim të tijin, e kundronte Tunelin si një nyje të integrimit të Shqipërisë me Kosovën në aspektin e komunikimit, apo si pikën më nevralgjike të gjithë rrugës Durrës-Morinë, ku "drita në fund të tunelit do të mund të jetë ajo kthesa epokale që kërkohej të ndodhte në raportet ndërshqiptare. Do të jetë ngjarje po aq e madhe sa pavarësia e Kosovës", shkruan ai. Teksa mediton mbi analiza dhe përjetime të tilla të thella, nuk mund të mos sjellësh në mendje gjithë epopenë e rrugës e për rrugën, që nis herët, qysh kur të parët tanë kapërcenin gryka e leqe për t‘u gjendur te njëri-tjetri, në të dy anët e kufirit… Nga Pavarësia (e Parë) te Pavarësia (e Dytë) zgjatet epopeja e kësaj rruge mbarëshqiptare, që asnjëherë nuk do të pushojë së qeni dhe një kryerrugë e rajonit. Nuk janë vetëm shqiptarët që i ka befasuar kjo vepër e, kësisoj, nuk kanë munguar të gjejnë figurat më të zgjedhura për të shprehur të jashtëzakonshmen e saj… Ishte këto ditë vizitor i Autostradës dhe kongresmeni demokrat amerikan, Eliot Engël, që njihet dhe si mbështetës i pavarësisë së Kosovës, i befasuar nga gjithçka që i ka dhuruar pamja vrundulluese e luginës së Fanit këtë pranvere. "Pamë vende dhe gjëra që nuk mund t‘i imagjinonim dot. Puna që po bëhet në këto male është e pabesueshme… Ky projekt do t‘i sjellë Shqipërisë një të ardhme të vërtetë. Nga kjo rrugë nuk do të përfitojë vetëm vendi juaj, por i gjithë Rajoni, duke e bërë Shqipërinë një qendër progresi të tij...". Engël, duke e quajtur këtë rrugë "një sipërmarrje të jashtëzakonshme", i rikthehet fëmijërisë së tij në Nju Jork gjatë kohës së qeverisjes së Presidentit Ajzenauer, i cili ndërmori asokohe të ndërtonte një sistem kombëtar autostradash, me rrugë që do t‘i lidhnin cep më cep Shtetet e Bashkuara. Miku i nderuar nuk mund të mos ndalej dhe në "margaritarin" e Udhës së Madhe, ku i mahnitur prej Tunelit dhe ndërtuesve të tij të paepur, plot përkushtim e me gjithë atë logjistikë nëpër duar, do ta quante veten të privilegjuar dhe me fat që u ndodh një ditë dhe ai atje…

Epilogth

Këto ditë ka rënë aq shumë telefoni te Tuneli!… Nga s‘i kanë rënë atij? Nga selitë qeveritare, nga zyrat e kompanisë ndërtuese, nga mediat e ndryshme. Por dhe nga plot njerëz të thjeshtë, shqiptarë prej këtu, Kosove a diaspore, që presin atë, "lajmin e mirë". I telefonoj dhe unë mikut tim, Markut, në Thirrë, që është një nga "kohëshënuesit" e Tunelit që nga dita e parë e tij, i them se dua të di kur mund të jetë fiks data?… Ai llogarit me mend: sot është 11 maj, dhe janë dhe 118 metra… ndërkohë që çdo ditë hapen nga 7-8 metra… Pastaj llogaritë nis e i bëj vetë… Më pëlqen kjo lloj matematike elementare, për vetë atë se të shpie tek ajo, ngjarja e madhe… I freskoj dhe njëherë të dhënat. E diel, 17 maj, dhe afro 70 metra tunel!.. I bie, pra, që nga fundi i muajit të jetë hapur dhe metri i fundit! Vërtet nuk dihet saktë dita e "lajmit të mirë", por gjithsesi ajo do të mbahet mend si dita... e dritës në fundin e Tunelit!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›