Partite politike te ndihmojn per nje fushate elektorale te mbare
Komisioni Qendror i Zgjedhje në mënyrë intensive po punon për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet që do të zhvillohen më 28 qershor të jenë sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Bashkëpunimi i partive politike në këtë proces mbetet thelbësor dhe i domosdoshëm. Në këtë aspekt, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani kërkoi të premten nga partitë politike që të zbatojnë Kodin Zgjedhor gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Në kuadër të hapjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Ristani ka uruar partitë politike “për një fushatë të mbarë, që duhet të karakterizohet nga konsensusi që ka karakterizuar këtë proces që në fillimet e tij”. Duke kujtuar faktin se vendi ynë është tashmë një ndër vendet anëtare të NATO-s, Ristani u shpreh se me këto zgjedhje “Shqipëria, tashmë një vend anëtar i NATO-s dhe së shpejti edhe kandidat për në BE, t’i japë fund tranzicionit”. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, i miratuar me konsesus në Kuvendin e Shqipërisë, fushata elektorale nis 30 ditë përpara datës së zhvillimit të zgjedhjeve. Për zgjedhjet e 28 qershorit pranë KQZ-së janë regjistruar 36 parti politike, 33 prej të cilave të grupuara në 4 koalicione të ndryshme zgjedhore, dy të spektrit të djathtë dhe dy të spektrit të majtë.
...