Partitë shqiptare më të mbyllura për elektoratin
Partitë politike dhe liderët e partive shqiptare janë më të mbyllur me opinionin dhe votuesit në këto zgjedhje, për dallim nga liderët e partive maqedonase.
Linja të hapura telefonike me qytetarët dhe termine të caktuara, takime derë me derë dhe nëpër qytetet e vendbanimet e vendit, komunikimi nëpër rrjetet sociale siç është Facebook, por edhe takime për të qenë sa më afër qytetarët janë pjesë e fushatës në Maqedoni.
Këto trende të fushatave po ndiqen nga partitë më të mëdha, VMRO-DPMNE, ku kryeministri i deritanishëm dhe lideri i kësaj partie, Nikola Gruevski po aplikon fushatën me risi dhe duke qenë më afër elektoratit.
Të njëjtën fushatë po aplikon edhe kandidatja e socialdemokratëve (LSDM) e dominuar për kryeministër të ardhshëm, Radmila Shecerinska, e cila po aplikon metoda të reja të komunikimit, nëpërmjet lidhjeve telefonike dhe komunikimeve të drejtpërdrejta me qytetarët.
Partitë shqiptare dhe liderët e tyre po vazhdojnë edhe në këto zgjedhje me tubimet e organizuara, duke nisur nga ato masive nëpër qytete, por edhe takime të mbyllura nëpër vendbanime rurale.
Shtabet e partive shqiptare theksojnë se megjithatë në disa raste edhe liderët bashkë me kandidatët për deputetë zhvillojnë takime të afërta me elektoratin, për tu njohur drejtpërdrejt me problemet dhe nevojat e tyre.