E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë shqiptare të përçara

Nga Express më 26 shkurt 2011 në ora 12:34

Partitë shqiptare në Maqedoni pritet të hyjnë në zgjedhjet e parakohshme pa koalicione ndërpartiake, për dallim nga blloku politik maqedonas.

BDI deri tani po përgatitet që ti futet garës zgjedhore si parti e vetme dhe me program të vetëm.

Përfaqësues të këtij subjekti bëjnë të ditur se nuk ka asnjë ofertë për koalicione me partitë e tjera, duke pasur parasysh rrethanat e përçarjeve të theksuara midis subjekteve politike shqiptare.

PDSH një muaj më parë promovoi frontin opozitar shqiptar, mirëpo deri tani asnjë parti nuk i është bashkëngjitur, përveç një subjekti të ri Lidhja Shqiptare, që vazhdon të jetë e paregjistruar në regjistrin zyrtar.

Demokracia e Re vazhdon të bëjë përgatitjet e vetme për t`iu futur garës zgjedhore, ndërsa kjo parti në disa raste është lakuar për koalicioni me BDI-në, pasi që bashkimi me PDSH-në është përjashtues.

Zyrtarë të kësaj partie shprehen të hapur për koalicione parazgjedhore me qëllim të mos-përçarjes së votave shqiptare.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani i cili pritet të shpallë subjektin e ri politik përjashton koalicionet parazgjedhore, por është i gatshëm për koalicione pas zgjedhjeve.

“Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të garojmë si parti e vetme, ndërsa sa i përket koalicionit, mendoj se pas rezultatit zgjedhor do të mund të bisedohet për një koalicion më të gjerë të bllokut politik shqiptarë”, ka theksuar Osmani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›