E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Iranin, çmimi i naftës do të jetë rreth 40 dollarë për fuçi

Sipas citimeve që u bëhen fjalëve të Golamhusen Nozarit, ministrit të Naftës së Iranit, çmimi i naftës do jetë rreth 40 dollarë për fuçi gjatë vitit 2009, gjë që bën të kuptohet se Teherani nuk pret që çmimi i arit të zi të pësojë rritje të shpejtë gjatë këtij viti. Sipas asaj që raportoi IRNA, Agjencia Shtetërore e Lajmeve të Iranit, një situatë e tillë vjen edhe pasi prodhues të tjerë të naftës, jashtë "Opec"-ut (Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës) nuk kishin bashkëpunuar për uljen e sasive të prodhimit për të mbajtur çmimin e arit të zi në nivele të kënaqshme.

Çmimi i naftës është ulur me rreth 100 dollarë për fuçi që nga ngritja rekord e regjistruar gjatë verës së shkuar, si pasojë e uljes së ndjeshme të kërkesës së shkaktuar nga kriza financiare globale. "Ministria e Naftës, duke marrë parasysh parashikimet e bëra nga institucione të ndryshme financiare, mendon se çmimi i naftës për vitin 2009 do të luhatet te 40 dollarët për fuçi", tha Nozari. Ministri shtoi se institucioni i tij i ka sugjeruar qeverisë të llogaritet me çmimin 40 dollarë për fuçi për buxhetin e vitit 2009, i cili hyn në fuqi në mars.

Ministrat e "Opec"-ut ranë njëzëri dakord gjatë dhjetorit të shkuar për ta pakësuar sasinë e prodhimit në masën rekord prej 2.2 milionë fuçish në ditë. Ndërkaq, vërejti se prodhimi pritej të shtohej gjatë vitit me 600 mijë fuçi në ditë prej eksportuesve që nuk bëjnë pjesë në "Opec", por pa përmendur cilat shtete do rrisnin volumet e eksportit. "Nën këto kushte, vendet e ‘Opec‘-ut vendosën të ulnin edhe më tej prodhimin, por vendet jashtë kësaj organizate nuk pranuan të bashkëpunojnë", bëri me dije ministri.

Rusia, e dyta ndër eksportuesit e naftës në rang global, u bë objekt kritikash nga ana e "Opec"-ut muajin e shkuar, pasi refuzoi t‘u bashkohej përpjekjeve të këtij organizmi për të stabilizuar çmimet në tregun e arit të zi. Rusia ka bërë me dije se po shqyrton të gjitha opsionet, bashkë me alternativën e përfshirjes në "Opec" në kuadrin e mbrojtjes së interesave kombëtare. Gjithsesi nuk ndërmori asnjë zotim bindës kur ministrat e vendeve të "Opec"-ut ranë dakord për pakësimin e sasive të prodhimit gjatë takimit në Oran të Algjerisë muajin e shkuar.

Gjatë orëve të mëngjesit të së shtunës, radioja shtetërore iraniane kishte cituar një zyrtar të lartë vendas të thoshte se grupi i prodhuesve të "Opec"-ut duhet të pakësonte edhe më tej prodhimin për të stabilizuar çmimet në tregjet e naftës. Lidhur me mosrespektimin e zotimeve për uljen e prodhimit nga ana e vendeve të "Opec"-ut, Nozari tha: "11 vendet anëtare të ‘Opec‘-ut nuk e respektuan me besnikëri zotimin për pakësimin e prodhimit, me përjashtim të Irakut. Në këtë kuadër, më pak serioze u tregua Algjeria, e cila nuk e pakësoi fare sasinë e prodhimit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›