E Diel, 1 Nëntor 2026

Partizani-Elbasani, 90 minuta për sezonin



Partizani-Elbasani vlerësohet nga ekspertët si supersfida e javës së 25-të të Kategorisë së Parë, nisur edhe nga pozitat e afërta e dy skuadrave, që së bashku kanë fituar 17 tituj kampionë në Kategorinë Superiore. Elbasani (vendi i dytë, 49 pikë) ka krijuar një diferencë prej +4 pikësh ndaj Partizanit (vendi i pestë, 44 pikë), tre prej të cilave pas fitores në ndeshjen direkte të fazës së parë të fituar 3-2 nga verdheblutë, falë një triplete historike të Renato Hyshmerit, e ku të kuqtë, të cilët kaluan dy herë në avantazh me anë të Klodian Alslanit (0-1) e Andrelis Pashajt (1-2), e mbyllën takimin me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit të kapitenit Luan Pinari në pjesën e parë. Të kuqtë e Gerti Haxhiut, të cilët nuk humbasin qysh nga humbja 0-2 në shtëpi me Lushnjën, më 21 nëntor 2009 (humbja e vetme në shtëpi), duke zhvilluar një fazë të dytë shumë efektive me 14 ndeshje pa humbje (9 fitore e 5 barazime), besojnë te forca e skuadrës, teksa klubi si rrallëherë i ka grumbulluar lojtarët (në Durrës) dy ditë para takimit. Partizani ka rezultate të mira në shtëpi, me 8 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, ndërkohë që kundërshtari i ditës së martë, Elbasani, ka një performancë të dobët në transfertë: 4 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje, por që mbërrin në “big clash” në kryeqytet pas katër ndeshjes pa humbje, kur të fundit e ka pësuar kundër një tjetër skuadre kryeqytetase, në humbjen 2-1 kundër Kamzës (27 shkurt 2010), me të veçantën e takimit, pasi të tre golat u shënuan nga vëllezërit Dalipi: dy, Klevisi i Kamzës dhe një, Endri i Elbasanit. Nëse Partizani vjen në sfidën kundër Elbasanit pas fitores 2-1 në Cërrik me Turbinën, verdheblutë e Krenar Alimehmetit mbërrijnë në Tiranë pas fitores 3-0 ndaj Gramshit. Edhe Elbasani është në “karantinë” 48 orë përpara derbit, teksa drejtuesit e klubit kanë vendosur edhe një shumë prej 10 milionë lekësh të vjetra për fitoren e dytë sezonale ndaj një rivali direkt për vendin e dytë si Partizani, që nga ana tjetër do të diskutojë një javës më pas, një tjetër sfidë për vendin e dytë, atë kundër Lushnjës, ndaj së cilës e ndajnë vetëm tri pikë.

Pikwt: 49-45
Partizani ka grumbulluar 45 pikë në këto 24 javë, kundrejt 49 pikëve të Elbasanit

14 ndeshje
pa humbje ka Partizani, me 9 fitore e 5 barazime. Nuk humbet nga 21 nëntor 2009

Bogdani, për një mbush 300

Sulmuesi shqiptar luan në Itali prej dhjetw vitesh nga janari i vitit 2010

Eri ka veshur fanellat e Rexhinës, Salernitanës, Veronës, Sienës, Livornos dhe Kievos

Sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani është duke vendosur një rekord personal në Itali, duke qenë vetëm një hap larg ndeshjes së tij të 300-të jubilare, në vitin e tij të dhjetë futbollistik në vendin fqinj. Në fakt ai pritej ta rrumbullakonte këtë shifër në ndeshjen e humbur të Kievos kundër Palermos të shtunën e kaluar, por trajneri Di Karlo nuk e futi për asnjë minutë në lojë Bogun, ndërkohë që 32-vjeçari shqiptar mund ta realizojë atë kundër Livornos, një tjetër ish-skuadër e tij. Sulmuesi i Kievos ka veshur bluzat e Rexhinës, Salernitanës, Veronës, Sienës, Livornos dhe Kievos (ku ndodhet aktualisht), duke koleksionuar 174 paraqitje në Serinë A, 106 në Serinë B, 16 në Kupën e Italisë dhe 3 në turne të ndryshëm: 299 në total. Karriera në Itali, e ish-sulmuesit të Partizanit (Shqipëri), Gençlerbirlixhisë (Turqi) dhe Kroacia Zagreb (Kroaci), nisi janar të vitit 2000, kur u transferua të Rexhina (4 sezone, 37 gola, 4 gola), përpara se ai të huazohej te Salernitana për një sezon, e më pas te Verona e Serisë B, ku realizoi edhe sezonin e tij më të mirë në Itali, me 17 gola, duke qenë golashënuesi i katërt më i mirë i këtij kampionati. Nga Verona u shit te Siena për shumën e 1.5 milionë, duke realizuar për këtë skuadër 13 gola në një sezon e gjysmë. Golashënuesi i tretë më i mirë i Kombëtares shqiptare (12 gola), ndryshoi sërish skuadër, duke u shitur te Kievo për 3 milionë euro, ndërkohë që u huazua te Livorno (nuk bëri një sezon të mirë: 2 gola në 25 ndeshje). Në fillim te sezonit 2008-2009 u rikthye sërish te Kievo, ku ndodhet në sezonin e tij të fundit, të paktën sipas kontratës. Bogdani ka realizuar 54 gola në total, pa përfshirë këtu një duzinë golash nëpër ndeshjet miqësore.

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›