E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Fundi i rrënimit ekonomik, vetëm me protestat e opozitës”



Protestat e opozitës janë e vetmja rrugë e duhur për t’i dhënë fund rrënimit ekonomik të qeverisë “Berisha”. Për të disatën herë shqetësimi për krizën ekonomike vjen nga selia rozë, të cilën me tjetër sy e shikon maxhoranca. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje, në një komunikim për mediat, deklaroi se protestat opozitare do të vazhdojnë edhe pas 1 Majit, për t’i dhënë fund kësaj keqqeverisje. Rama deklaron se protestat do të vazhdojnë në çdo qytet, në çdo fshat, dhe do të përshkallëzohen, për të kulmuar më 30 prill. Ai thekson se protestat janë për të zbardhur krimin elektoral, për të ndalur rrënimin ekonomik dhe për të larguar një qeveri, e cila e ka të pamundur të zgjidhë edhe krizat që pasojnë prej krimit elektoral.
Deklarata
“Dëshiroj të përshëndes dhjetëra mijëra pjesëmarrësit në protestat që janë duke u zhvilluar në të gjithë vendin, në qytete dhe fshatra. Kam bindjen se numri i këtyre protestave qytetare do të vijë duke u rritur përditë, për të kulmuar me manifestimin e madh të protestës më 30 prill në Bulevardin e Tiranës, ku protesta do të vazhdojë më 1 maj e më tej, për zbardhjen e krimit elektoral dhe ndaljen e rrënimit ekonomik”, - u shpreh Rama. Ai nënvizoi se sot protestohet kundër pushtetit që manipuloi zgjedhjet për t’u mbajtur në këmbë në kundërshtim me vullnetit e shumicës së shqiptarëve dhe më keq akoma, po rri në këmbë duke gjunjëzuar shtetin dhe rrënuar ekonominë shqiptare. Sipas Ramës, protesta është e vetmja rrugë për të ndalur rrënimin e një ekonomie të marrë peng nga një qeveri jo vetëm e paaftë për ta nxjerrë ekonominë nga kriza, por më keq akoma, e pandjeshme ndaj faktit se përditë e më shumë shqiptarë humbasin vende pune dhe fuqi blerëse në një treg ku vendet e punës mbyllen dhe çmimet e jetesës rriten.
Kriza
Ndryshe nga maxhoranca e kryeministrit Sali Berisha, opozita ka fakte të tjera shifrash që tregojnë rrënimin ekonomik. Sipas Ramës, shifrat e tremujorit të fundit dëshmojnë se ekonomia shqiptare është në degradim të vazhdueshëm dhe të pandalshëm. Degradim ky, sipas tij, që s’ka asnjë gjasë të ndalet pa larguar qeverinë, që është shkaku i krizës së gjithanshme të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe vetë ekonomisë të futur në kutinë e shifrave të rreme. Rama tha se vetëm në Tiranë dhe vetëm gjatë muajit mars, uji është shtrenjtuar me mbi 75%. Për qytetarët e Tiranës, fatura mujore e ujit ka arritur vlerat 30 mijë lekë të vjetër, jashtë çdo mundësie logjike për t’u përballuar nga shumica dërrmuese e familjeve të kryeqytetit. Duke iu referuar një studimi të fundit mbi konkurrueshmërinë ekonomike në vendet e rajonit, është arritur në përfundimin se kreditë për sipërmarrjen në Shqipëri kanë interesa 2-3 pikë më të larta se në vendet fqinje. Dhe vetëm në dy muajt e fundit kreditë janë shtrenjtuar deri në një 1 pikë.
“Është normale që përballë kësaj situate emergjente, shqiptaret dhe shqiptarët të protestojnë, të protestojnë, të protestojnë. Të protestojnë kundër një pushteti që nuk u mjaftua vetëm me vjedhjen e zgjedhjeve për të ndenjur në këmbë, por që tani kërkon me çdo kusht të qëndrojë duke shkelur me këmbë çdo parim, normë e vlerë të bashkëjetesës demokratike”, - tha Rama.

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›