Burgoset Yildirim

Presidenti i Fenerbahçes, Aziz Yildirim, është arrestuar dhe paraburgosur të dielën, pas hetimeve që u bënë ndaj tij disa ditë për shkak të kurdisjes së ndeshjeve në sezonin e fundit në ligën turke ‘Spor Toto Super League’.
Yildirim, i cili hetohej që një javë si i përfshirë në skandalin e ndeshjeve të rregulluara, është arrestuar në Stamboll, ndërsa më pas është dërguar në burgun e Metrisit.
“59 vjeçari është arrestuar me arsyen se ka qenë i përfshirë dhe ka menaxhuar organizata kriminale dhe ka kurdisur ndeshje”, shkruajnë mediat turke, duke u bazuar në arsyen e prangosjes së bosit të Fenerbahçes, e cila u shpall kampione e Turqisë këtë sezon.
Ndërkohë, tifozët e Fenerit kanë protestuar në anën tjetër të qytetit për burgosjen e presidentit të tyre. Qindra fansa udhëtuan drejt veri-perëndimit të provincës Duzce, ku Fenerbahçe aktualisht gjendet në përgatitje, për ta shfaqur dashurinë e tyre për klubin e zemrës.
Menjëherë ka reaguar edhe klubi turk. “Ne nuk besojmë në akuzat me të cilat ngarkohet presidenti dhe drejtorët”, shkruan në ueb faqen e kampionit të ri turk.
Ekspertët e futbollit turk thonë se presidenti Yildirim rrezikon ta humb postin e tij në të ardhmen. Në rast se burgoset, pas procesit gjyqësor, Yildirim, i cili ishte president i Fenerbahçes për 13 vjet, nuk do të jetë më pjesë e klubit të futbollit turk, thonë burime brenda klubit.
Më 3 korrik, policia turke filloi një operacion në provinca të ndryshme të Turqisë, ku bënë kërkime në disa klube turke, përfshirë këtu edhe lojtarë të divizionit të parë turk dhe zyrtar, që dyshohen të jenë të përfshirë në kurdisje të ndeshjeve. Janë 25 persona të tjerë, plus Aziz Yildirimin, president i Fenerbahçes, që po hetohen, përfshirë këtu një numër të zyrtarëve të klubeve dhe lojtarëve.
Gjatë marrjes në pyetje këtë javë, Yildirim, i cili ishte pjesë e 61 personave të arrestuar si pjesë e hetimeve, u shtrua në spital disa herë për shkak të problemeve shëndetësore. Mediat turke shkruajnë se Fenerbahçes mund t’i merret titulli i kampionit, nëse vërtetohen kurdisjet që i bëri ky klub gjatë sezonit që shkoi.
Ndërkohë, policia turke po heton edhe presidentin e Bursasporit dhe ish presidentin e Federatës së Futbollit të Turqisë, që po ashtu dyshohen në përfshirje të rasteve të tilla.