Zviceranët ia shohin hairin luftës në Ballkan

Futbolli zviceran ka përfituar nga lufta në ish Jugosllavi. Bile shumë. Pesë nga 21 futbollistët që ka në dispozicion selektori Ottmar Hitzfeld vijnë nga ish Jugosllavia. Të gjithë nga ta janë shqiptarë.
Admir Mehmedi (i lindur në Gostivar të Maqedonisë), Granit Xhaka (i lindur në Prishtinë), Xherdan Shaqiri (i lindur në Gjilan), Valon Behrami (i lindur në Mitrovicë) dhe Blerim Xhemajli (i lindur në Tetovë).
Gati një e katërta e Kombëtares helvetike ka rrënjë nga Ballkani. Por, popullatën e përgjithshme të Zvicrës ish jugosllavët e përbëjnë me më pak se 5 për qind. Dhe, përse kaq shumë lojtarë ish jugosllavë luajnë për Zvicrën?
“Rëndësia për futbollin është mjaft e madhe për këta persona, siç ka ndodhur me emigrantët në Itali dhe në Spanjë. Të gjitha kombet që dolën nga ish Jugosllavia luajnë mjaft mirë. Ata nuk merren vetëm me futboll, por edhe me hendboll e me basketboll”, thotë Peter Knabel, drejtor teknik i Shoqatës zvicerane të Futbollit.
Knabel nuk e fsheh faktin se futbolli zviceran ka përfituar nga dëshira për futbollin nga regjioni ballkanik. “Franca ka qenë e aftë të punojë shumë për një kohë të gjatë me kolonitë e saj. Emigracioni për shkak të krizës në ish Jugosllavi ka qenë një mundësi për refugjatët e luftës dhe në fund, për disa pjesë të sportit zviceran”, shtoi ai.
Kjo është një mundësi që po e përfiton edhe futbolli zviceran. Falë ndihmës së lojtarëve që arrijnë nga Ballkani, Zvicra e ka mundësinë që të arrijë rezultate të kënaqshme.
Por, viteve të fundit, numri i emigrantëve nga ish Jugosllavia që shkojnë në Zvicrës është në rënie e sipër. Për këtë, zviceranët frikësohen se futbolli në të ardhmen mund të ketë rëndësi më të vogël, pasi që atje nuk do të shkojnë më lojtarë të rangut Mehmedi, Xhaka, Shaqiri, Behrami apo Xhemajli.
Mirëpo, Knabel mendon se edhe Zvicra ka sportistë të talentuar siç janë Roger Federer e Simon Ammann. Ai shton se edhe prindërit ua shohin hairin lojtarëve, ngase ata janë detyruar të bënin lloj-lloj punësh vetëm për të mbijetuar në Zvicër. Kur fëmijët e tyre të bëhen lojtarë dhe kur të marrin para të mira, jeta e prindërve ndryshon.
Knabel kujton edhe rastet Petric, Rakitic e Kuzmanovic. Këta lojtarë janë rritur në Zvicër, por në fund vendosën t’i mbrojnë ngjyrat e Kroacisë dhe Serbisë. Ai e sheh këtë dramatike, pasi që bëhet fjalë për lojtarë kualitativë, të cilët mund ta ndihmonin Zvicrën.
Ai ndihet i lumtur që megjithatë lojtarët si Shaqiri, Xhaka, Mehmedi, Gavranovic ose Behrami e kanë zgjedhur Zvicrën. Zviceranët nuk dëshirojnë ta imagjinojnë një skuadër pa futbollistët ish jugosllavë.