Partizani, edhe pa lekë trim në luftë
Tri fitore në katër ndeshjet këtij viti, 9 pikë nga 12 të mundshmet, e kanë shndërruar Partizanin në një ekip të frikshëm. Pas humbjes minimale një javë më parë me Shkumbinin (1-0) në fushën e vështirë të Peqinit, “demat e kuq” fituan 1-0 me Besën e Kavajës në javën e 21-të (gol i Marius Ngjelës, 45’+1), duke u ngjitur në kuotën e 22 pikëve e duke konsoliduar shpresat për të mbijetuar në Kategorinë Superiore.
Besa e Kavajës konfirmoi krizën e rezultateve, kur në katër takimet e para të vitit 2009 ka mundur të grumbullojë vetëm 1 pikë nga 12 të mundshmet (Besa-Lushnja 0-0), ndërkohë që ka pësuar tri humbje rresht me Vllazninë (4-1), Tiranën (1-3) dhe të shtunën me Partizanin (1-0).
Partizani dominoi plotësisht një takim, ku të dyja ekipet e mbyllën me nga dhjetë lojtarë. Për të kuqtë, Reinaldo Mallota (64’) la fushën e lojës pas dy kartonëve të verdhë, ndërkohë që kapiteni i Besës, Bekim Kuli (91’) u largua nga gjyqtari Mentor Sopjani për një bërryl tërësisht të pafalshëm në drejtim të zëvendësuesit Arbër Capo të Partizanit.
Panorama e ndeshjes, edhe pse në përgjithësi në fraksionin e parë ishte e zbehtë dhe pa shumë raste, krijoi emocione në impiantin ndërkombëtar “Qemal Stafa”, atje ku ka shtëpinë edhe skuadra e kuqe. Në minutën e 39-të Karapici i pati të gjitha mundësitë të shënonte, pasi u shfaq brenda zonës së vogël, por gjuajtje e tij ishte e dobët dhe pa problem për portierin Zendeli.
Në limitin e shtesës së pjesës së parë, 45’-1, Marius Ngjela shfrytëzoi një top të kthyer prapa në mënyrë të gabuar nga ana e Robert Grizhës, duke u shfaqur i vetëm përballë portierit Zendeli, korçari e shmangu shqiptaro-maqedonasin e kavajasve me një lëvizje elegante me trup, duke realizuar fare thjesht golin e parë për Partizanin, gol që mbylli dhe pjesën e parë. Goli i pestë me fanellën e kuqe të Marius Ngjelës, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë sezonal i të kuqve.
Fraksioni i dytë prodhoi edhe emocione më të mëdha me rifillimin e ndeshjes. Në minutën e 47-të, Rezart Maho lëshoi një diagonale të lartë në drejtim të portës së Besës, por trajektorja e sferës ishte jashtë kuadratit.
Në minutën e 61-të, Abilialiaj dha një pas të artë për Fitim Haliti, ky i fundit rrëshqiti pa mundur të godasë, përballë Shehit u shfaq kosovari tjetër Driton Krasniqi, i cili bëri më të pabesueshmen, duke goditur jashtë kuadratit, kur e kishte më të lehtë të shënonte. E pafalshme për futbollistin e Besës, që nuk u beson dhe ai syve të tij. Në minutën e 64-rt, Reinaldo Mallota u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq, duke e lënë Partizanin me dhjetë lojtarë. Zendeli u shfaq i pasigurt në minutën e 78-të, por për fat të mirë të tij, topi u devijua në goditje këndi.
Trajneri i Besës, Ilir Daja, hodhi në minutën e 80-të kartën e fundit të tij, sulmuesin haitian me pasaportë franceze Herbi Fortunat, në vend të kosovarit Fitim Haliti. Edhe trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, bëri 3 zëvendësime në këtë takim, kur futi në dhjetë minutat e fundit Capon e Begën, ky i fundit në vend të Marius Ngjelës, i larguar me duartrokitje.
Fundi i takimit solli edhe skenën e shëmtuar të Bekim Kulit, i cili goditi dukshëm me bërryl në rrethin e mesit të fushës sulmuesin e ri të Partizanit, Arbër Capo, si për të konfirmuar krizën e skuadrës së presidentit Xhat Bizhdili.
Në javën e fundit të fazës së dytë, Partizani do të përballet në “Ruzhdi Bizhuta” me Elbasanin (2-2, në fazën e parë), ndërsa Besa do të presë në shtëpi Apoloninë e Fierit, ndaj të cilës në fazën e parë humbi 3-1.
VITI 2009
Ndeshjet e Partizanit
Java 18: Bylis-Partizani 0-1
Java 19: Partizani-Dinamo 1-0
Java 20: Shkumbini-Partizani 1-0
Java 21: Partizani-Besa 1-0
NDESHJET E BESËS
Java 18: Besa-Lushnja 0-0
Java 19: Vllaznia-Besa 4-1
Java 20: Besa-Tirana 1-3
Java 21: Partizani-Besa 1-0
22 Shkurt 2009